Reporting House

Automjeti të cilin e përdori kameramani anglez gjatë luftës në Kosovë do të ekspozohet në ''Reporting House"

Të hënën më 10.06.2024, në ora 18:00, do të lansohet ekspozita “REPORTING HOUSE” .

Ekspozita hapet në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia”, në Prishtinë, objekt ky i cili për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Pjesë e kësaj Shtëpie të Gazetarëve do të jetë edhe vetura e Vaughan Smith, kameramanit anglez nga Frontline Njus Television, veturë kjo të cilën ai e kishte përdorur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ky mjet i prodhuar më 1994, i njohur me nofkën ‘Snatch’ u përdor nga Vaughan në Sarajevë gjatë konfliktit në Bosnjë e Hercegovinë dhe e solli në Prishtinë në maj 1998. Ajo është goditur nga 11 plumba. Të gjitha goditjet e plumbave janë riparuar përveç njërit, që ende lë shenjë në xhamin e përparmë.

Smith e ka vozitur makinën e vjetëruar mbi 2000 km nga Anglia, pa drita, pa xhamëfshirëse funksionale dhe pa klimë për shkak se vetura ka dal prej përdorimit, vetëm për të arritur që ta bëjë pjesë të ekspozitës për publikun, të martën më 11 qershor. Makina do të shndërrohet në hapësirë galerie gjatë ekspozitës.

‘Snatch’ ishte e njohur në Drencia gjatë luftës, duke kaluar shumë shpesh në rrugët malësore për t’i shmangur postblloqet serbe.

Vetura të cilën Smith e voziti në Kosovë kishte një fiokë të fshehtë për të fshehur videokasetat të cilat xhiroheshin, por kishin rrezik të konfiskoheshin nga ushtria serbe gjatë kthimit prej terrenit.

‘Armored Landrover M395 MRW’ (Snatch) është një 110 Defender Turbo Landrover, i përshtatur nga Courtaulds Aerospace në Oksford, Angli, për të qenë i papërshkueshëm nga plumbat.

Vaughan Smith u qëllua në celularin e tij teksa filmonte ekskluzivisht Masakrën e Prekazit.

Smith organizoi dhe filmoi intervistën e parë të demaskuar me pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Femi Lladrovci.

Ai filmoi Masakrën e Obrisë dhe pasi kishte hyrë fshehurazi në Kosovë nga Maqedonia regjistroi Regjimentin Britanik të Parashutistëve që arriti në Kosovë me helikopter gjatë ndërhyrjes së NATO-s.

Gjatë viteve 1990, Vaughan punoi si kameraman i pavarur i vlerësuar me çmime dhe gazetar video- lajmesh duke mbuluar luftërat dhe konfliktet në Irak, Afganistan, Bosnje, Çeçeni, Kosovë dhe gjetkë.

Ekspozita “REPORTING HOUSE” e cila do të hapet të hënën më 10.06.2024 u ofron publikut vendor dhe vizitorëve të huaj një pasqyrim të hollësishëm të luftës europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

Kjo ekspozitë, sipas njoftimit, shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vinë prej vendeve të ndrsyhme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, Laura Imami nga Anglia dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli nga Kosova.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television News.

Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.