Kryetari Rama dekori me ‘Çelësin e Qytetit’ ish-gazetarin e BBC David Loyn

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka pritur në takim ish-gazetarin e BBC-së, David Loyn të cilin e dekoroi me “Çelësin e Qytetit”.

Në këtë takim kryetari Rama shprehu falënderime për kontributin dhe punën e gazetarit Loyn gjatë luftës në Kosovë.

“Zotëri David Loyn, i cili gjatë kohës së luftës në vitin 1998-të ka qenë njeriu kyç që ka raportuar prej brenda Kosovës, edhe kanë qenë momente kyçe që kanë tregu të vërtetën së çka po ndodhë në Kosovë”- deklaroi Rama

Gazetari, Loyn u shpreh i nderuar për këtë vlerësim dhe se ajo çka po mundohej të bënte me punën e tij ishte të tregohej e vërteta e historisë së ngjarjeve të tmerrshme të luftës në Kosovë.

“Ishte historia juaj që ne treguam 25 vjet më parë. Ne po mundoheshim të tregojmë historinë e ngjarjeve të tmerrshme të verës dhe vjeshtës së 1998-tës. Besoj që nuk e kam kuptuar derisa sa u ktheva, tash 25 vjet më vonë, se sa shumë ajo gazetari ka pasur rëndësi dhe si ka ndryshuar kahjen dhe ndërroi gjendjen ndërkombëtarisht”- u shpreh Loyn.

David Loyn erdhi në Kosovë më 10.06.2024 për hapjen e ekspozitës ‘Reporting House’, e që pjesë e kësaj ekspozite është edhe puna e tij.

Kjo ekspozitë është prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, që prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Ekspozita “Reporting House”  do jetë e hapur për vizitorë deri me datën 10.09.2024.

Ekspozita ‘Reporting House’, korrespondentët e BBC-së tregojnë përvojën e raportimit për luftën në Kosovë