Minatorët e Trepçës në ekspozitën "Reporting House" në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Më 20 qershor minatorët e Trepçës marshojnë drejt ekspozitës 'Reporting House'

Me helmeta e me drita në kokë, minatorët e Trepçës do të marshojnë nga hoteli “Grand” në qendër të Prishtinës, deri te ekspozita Reporting House, [Shtëpia e Gazetarëve] në objektin e ish-Germisë, të enjten më 20.06.2024, në orën 20:45.

Njëri nga minatorët i cili është ekspozuar në fotografinë që ndodhet në “Reporting House” – e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, do të jetë prezent në këtë organizim.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka njoftuar se kjo do të ndodhë me qëllim të përkrahjes dhe sensibilizimit të opinionit me rëndësinë e grevës së minatorëve të vitit 89.

Në ekspozitën “Reporting House” ndodhet fotografia e grevës së minatorëve në vitin 1989.

Minatorët e Trepçës në ekspozitën “Reporting House” në Prishtinë – Foto: KALLXO.com

“Për nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. BIRN (Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan) organizon ekspozitën e fotografive në Prishtinë, foto kryesore është foto e grevës së minatorëve të vitit 1989. Me këtë rast në mënyrë simbolike do të ketë edhe një marsh në përkrahje dhe senzibilizimin  e opinionit me rëndësinë e grevës së minatorëve të vitit  ’89. Kontibut të rëndësishëm të Çlirimit të Kosovës kanë dhënë Minatorët e Trepçës me organizimin e grevës së madhe 20-28.02.1989”- thuhet një njoftim.

Kjo sindikatë u bën thirrje qytetarëve e minatorëve t’i bashkohen këtij organizimi.

“Ju ftojmë që të merrni pjesë qytetar, minator, ish minator dhe familjar të minatorëve në këtë organizim me datën: 20.26.2024 në ora 19:30. Do të bëhet nisja me Autobus të organizuar (Falas) para Raiffeisen Bank  – Mitrovicë”- thuhet tutje në njoftim.

E për këtë organizim është deklaruar edhe dejtoresha e Rrjetit Ballkanit për Gazetari Hulumtuese në Kosovë -BIRN, Jeta Xharra e cila ka bërë thirrje për pjesëmarrje në arsh.

“Po ju ftoj me ardhë, me nejt me minatorë që po vijnë prej Trepçës në ekspozitë. Disa prej këtyre minatorëve janë mu ata që i kemi në foto të ekspozitës si pjesemarrës të protestave, tubimeve e grevës së minatorëve në vitet 1988 dhe 1989 ku kërkuan të drejta të barabarta për shqiptarë në ish Jugosllavi!”- ka shkruar Xharra në postimin e saj në Facebook.

Në Prishtinë është hapur edhe zyrtarisht ekspozita “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”.

Hapja zyrtare u bë më 10.06.2024 në ora 18:00 dhe ekspozita do të jetë e hapur deri në gjysmë të muajit shtator.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ambasadorë të vendeve mike e udhëheqës misionesh ndërkombëtare në Kosovë.

Në konferencën për shtyp të realizuesve, kontribuesve e artistëve të kësaj ekspozite u tha se “Reporting House” është dëshmi e punës së madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Pjesë e kësaj konference ishin: Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova dhe producente e ekspozitës, Gazmend Ejupi, kurator i ekspozitës, David Loyn, korrespondent i BBC TV gjatë luftës në Kosovë, Vaughan Smith, producent dhe kameraman i reportazheve të BBC-së, Emir Suljagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë (Bosnjë dhe Hercegovinë), Lana Çmajqanin, artiste nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Donika Shahini Lami, gazetare dhe përkthyese gjatë luftës për Televizionin Publik Japonez NHK dhe revistën “Kombi”.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV (NHK, TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News.

Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Hapet zyrtarisht dhe për publikun ekspozita “Reporting House”