Ukë Morina me Dy Aktakuza për të Njëjtën Çështje

Sot në Gjykatën Themelore në Gjakovë derisa po mbahej shqyrtimi kryesor ndaj Ukë Morinës nga fshati Dobidol i Komunës së Rahovecit që po akuzohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, u zbulua se për të njëjtën çështje ekziston edhe një akuzë tjetër për këtë person.

Aktakuza kundër Ukë Morinës e ngritur më 18 tetor 2005 nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren ngarkon Ukë Morinën për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje nën kontroll, pronësi dhe posedim të paautorizuar të armës.

I akuzuari deklaroi në seancë se e ka kuptuar aktakuzën dhe pranoi fajësinë për dy veprat penale me të cilat ngarkohet, ndërsa prokurori Ali Uka i kërkoi gjykatës aprovimin e këtij pranimi të fajësisë.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu kërkoi 5 minuta pushim dhe ftoi prokurorin Ali Uka dhe mbrojtësin e të akuzuarit Ukë Morina, avokatin Teki Bokshi për një konsultim në zyrën e tij.

Pas konsultimit, kryetari i trupit gjykues deklaroi se në shkresat e lëndës që ka gjykata gjendet edhe një tjetër aktakuzë për të njëjtën çështje dhe me të njëjtin numër, e ngritur një muaj më vonë, më 10 nëntor 2005 por me ricilësim juridik të veprës penale, duke e akuzuar Ukë Morinën për vrasje të mbetur në tentativë.

Në akuzën e dytë thuhej se “Ukë Morina me dashje tentoi ta privojë nga jeta të dëmtuarin Faruk Gashin, dhe me atë rast solli në rrezik jetën e personave të tretë dhe atë Dëfrim Kryeziut dhe Alban Krasniqit, ku kësodore kreu vepër penale të vrasjes së rëndë në tentativë  dhe mbajtje në kontroll, në posedim, ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve“.

Pas zbulimit të kësaj aktakuze, prokurori deklaroi se nuk kishte dijeni për të.

“Unë nuk kam pasur njohuri ngase kjo akuzë është ngritur nga Prokuroria e atëhershme e Qarkut të Prizrenit,  konkretisht nga prokurori Sylë Hoxha. Kërkoj nga gjykata që të më jepet kohë e mjaftueshme në mënyrë që të përgatitem për procedim të mëtutjeshëm,” tha prokurori Ali Uka.

Avokati i Ukë Morinës u çudit nga aktakuza e zbuluar për klientin e tij.

“Përpos aktakuzës themelore, klientit tim nuk i është dorëzuar apo lexuar aktakuzë tjetër ndonjëherë. Si ka arritur kjo është e paqartë dhe kjo aktakuzë nuk ka vulë të pranimit, ” deklaroi Teki Bokshi.

Bokshi kërkoi nga trupi gjykues që ta tërheqë deklaratën e klientit të tij për pranimin e fajësisë për aktakuzën e 18 tetorit 2005.

Më tej shtoi se me kontributin e prokurorisë së atëhershme është krijuar pështjellim.

 

Gjykata miratoi tërheqjen e deklaratës për pranim fajësie të Ukë Morrinës, ndërsa seanca e ardhshme u caktua më 16 shkurt.