Ujësjellësit Kundër Ligjit, Refuzojnë Pagesën e Taksës Ujore

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, këtë të premtë, sjell reportazhin për dështmin e Ministrisë së Mjedisit për të mbledhur taksën ujore.

Të gjeturat nga hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, janë mjaft shqetësuese.

Kompanitë publike të ujësjellësve në mënyrë të organizuar kanë vendosur që të mos i binden Udhëzimit Administrativ 06/2006 për strukturën e pagesës së taksës ujore.

Selatin Retkoceri, Drejtor Financiarë në K.U.R. Sh.A. Prishtina, tregon se ata kanë mundësi ta paguajnë taksën ujore, por nuk po e paguajnë në shenjë solidarizimi me ujësjellësit tjerë.

Sipas tij, ata janë në pritje të një përgjigjeje nga ana e Ministrisë së Mjedisit, nëse do të ulet kjo taksë, apo jo.

Mirëpo, nëse nuk marrin përgjigje nga MMPH-ja, se taksa do të ulet, atëherë ai tha se do ta bëjnë pagesën.

“Ne kemi mundësi financiare për të paguar këtë borgj, por nuk jemi duke e paguar në shenjë solidarizimi me ujësjellësit tjerë regjional, të cilët kanë vështirësi financiare për ta paguar këtë taksë”, tha Rektoceri.

Sipas tij, të gjithë ujësjellësit publik në nivel të shoqatës së tyre, janë marrë vesh që këtë taksë mos ta paguajnë.