Trafiku i Rajonit të Prishtinës matet për të identifikuar ndotjen

116 studentë nga Universiteti i Prishtinës kanë dalë në disa pika të rajonit të Prishtinës për të bërë matjen e frekuencës së trafikut në qytete.

Kjo po bëhet në kuadër të projektit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me Organizatën Zhvillimore Japoneze (JICA), për identifikimin e ndotësve në rajonin e Prishtinës.

Në marrëveshje me Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe atë Teknik, studentët punuan me ndërrime në një 24 orësh të ditës së punës dhe vikendit.

Nezakete Hakaj, udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtje nga Ndotja Industriale në Ministrinë e Ambientit shpjegoi sistemin e punës së studentëve që masin lëvizjen e veturave.

“Secili prej studentëve, janë nga dy, ku njëri student është në një anë të rrugës, tjetri në anën tjetër për të mundur ta shohin frekuencën në të dy anët. I kanë numëratorët apo numëruesit, ku i kanë të shënuara llojet e automjeteve, punojnë 40 minuta, pastaj kanë 20 minuta pauzë”, tregoi Hakaj.

Hakaj tha se projekti trevjeçar përmban disa komponente dhe pritet që të dilet me raporte vlerësuese sa i përket ndotësve të ajrit.

“Kemi fituar një mbështetje me projektin për kontrollin e ndotjes së ajrit prej Agjencionit japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar të cilët po na ndihmojnë që ne ta përmirësojmë gjendjen e cilësisë së ajrit në Kosovë. Në këtë rast ky projekt ka 8 komponentë dhe njëra prej komponenteve është hulumtimi i trafikut, apo burimeve të lëvzishme të ndotjes”, tha Hakaj.

Brenda projektit  në mars të këtij viti ishte bërë edhe matja e ndotësve nga amvisëria dhe industria.

Prishtina gjatë dimrit kishte ndotje ekstreme të ajrit, ndërsa në disa raste u priu qyteteve me ndotjen më të lartë në botë.

Veturat e shumta që qarkullojnë nëpër kryeqytetin kosovar konsiderohen njëri nga shkaqet e ndotjes.

Në KALLXO.com gjatë dimrit erdhën shumë fotografi e video në të cilat qytetarët identifikuan ndotësit në Prishtinë.

http://kallxo.com/video-foto-qytetaret-denoncojne-ndotesit-e-ajrit/

http://kallxo.com/video-qytetaret-tregojne-nga-kush-ndotet-ambienti/