VW i ul çmimet e automjeteve elektrike, paralajmëron futjen e ChatGPT në automjetet e saj

Deri para pak kohësh, kompania e automjeteve Volkswagen shpresonte se nga mesi i kësaj dekade mund ta tejkalojë Tesla-n duke u bërë kompania lider në tregun e automjeteve elektrike. Mirëpo, doli që dëshirat dhe realiteti janë krejtësisht ndryshe.

Këto ditë po flitet vërtetë për një kompani që mund ta zëvendësojë Teslën tashmë këtë vit, porse nuk është Volkswagen, ajo është kompania kineze BYD, që ka shitur më shumë automjete elektrike në botë në tre muajt e fundit të vitit të kaluar.  

Duke qenë se situata në treg nuk po shkon siç duhet, kompanisë VW iu desh të përshtatej – andaj ka vendosur t’i bëjë disa lëvizje për t’u bërë sa më konkurruese me Tesla-n dhe numrin në rritje të kompanive kineze.

Në planin afatgjatë, domethënë gjatë viteve të ardhshme, VW planifikon të prezantojë modele më të lira të automjeteve të tyre elektrike me çmim prej 25,000 euro e ndoshta edhe me lirë.  

Në Francë, modeli ID.3 Pro tani do të kushtojë më pak se 40 mijë euro, ndërsa çmimi i modelit me bateri më të fortë 77 kwh do të jetë 44,310 euro. Është ulur edhe çmimi i modelit ID.4 – me daljen në treg ka kushtuar më shumë se 50 mijë euro dhe tashmë do të jetë 44 mijë euro. Edhe në Gjermani çmimi fillestar i modelit ID.3 do të jetë diç më pak se 40 mijë euro dhe në varësi të modelit, VW ka ulur çmimet deri në 7,735 euro në atë treg. I njëjti çmim i modelit ID.3 do të jetë në Norvegji, e cila ka arritur më së shumti për sa i përket elektrifikimit, dhe VW ka njoftuar ndryshime në politikën e saj të çmimeve edhe në Belgjikë dhe Suedi.

Zbatimi i ChatGPT

Vitin e kaluar, në tregun evropian u shitën diç më shumë se 2 milionë automjete elektrike, që përbën një rritje krahasuar me 1.6 milionë të shitura në vitin 2022, dhe për vitin 2025, kjo shifër pritet të shkojë në 5 milionë (4.8 milionë e-vetura të shitura).

Një tjetër risi nga Volkswagen, të cilën kompania e ka shpallur në panairin e elektronikës së konsumit CES, është futja e chatbotit AI ChatGPT në automjetet e tyre. Modelet e para me këtë chatbot do të shfaqen gjatë tremujorit të dytë në Evropë dhe SHBA. Nëse shoferi i thotë se është ftohtë, atëherë ChatGPT do ta rrisë temperaturën në automjet ose nëse ngasësi thotë se është i uritur, ChatGPT do t’i gjejë për të restorantet më të afërta. /Arena EV

Përgatiti: Nuhi Shala