Automjetet Peugeot do të pajisen me asistent zanor bazuar në ChatGPT

Peugeot synon të ofrojë një chatbot me IA për blerësit e automjeteve të saj në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Britani të Madhe, dhe më pas në gjysmën e dytë të vitit.

Një numër në rritje i prodhuesve të automjeteve, duke përfshirë Mercedes-Benz dhe Volkswagen, po i shtojnë asistentët zanorë të bazuar në ChatGPT me synimin për ta përmirësuar sigurinë rrugore dhe për t’i ndihmuar klientët.

“Është një funksion i ri që ju lejon të kontrolloni sistemet e automjetit duke i mbajtur duart në timon dhe duke e shikuar rrugën. Ai do të na ndihmojë t’u përgjigjemi pyetjeve dhe temave të ndryshme”- ka thënë Jerome Micheron, drejtor produkti në Peugeot.

Kur shoferi e aktivizon asistentin zanor “OK ​​Peugeot”, ai do të jetë në gjendje t’u përgjigjet një sërë pyetjesh, nga navigimi deri tek ndërveprimi me pasagjerët për tema të ndryshme duke përdorur ChatGPT.

Mercedes-Benz është prodhuesi i parë i automjeteve që ofron një version të ChatGPT për klientët amerikanë në qershor, si pjesë e një testi beta tre-mujor. Kompania përdor gjetjet për ta përmirësuar teknologjinë përpara se ta ofrojë atë në tregje të tjera.

Volkswagen demonstroi asistentin e tij të ri zanor me fuqi ChatGPT në sedanin e ri elektrik ID.7 muajin e kaluar gjatë evenimentit të saj në Las Vegas. Ky asistent do të bëhet standard në shumë modele Volkswagen duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala