BMW do të investojë 700 milionë euro në fabrikën elektrike Mini në Mbretërinë e Bashkuar

Prodhuesi gjerman i automjeteve BMW do të investojë miliona euro në prodhimin e automjeteve elektrike në fabrikën e tij Mini në Oksford, ka njoftuar qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Investimi, me vlerë 701 milionë euro, do të sigurojë 4,000 “punë me aftësi të larta” dhe do t’i forcojë linjat e prodhimit, sipas Departamentit të Biznesit dhe Tregtisë.

Njoftimi do të thotë se prodhuesit e automjeteve do të kenë investuar mbi 7 miliardë euro në sektorin e automobilave në Mbretërinë e Bashkuar gjatë dy viteve të fundit.

Investimi i ri do t’i mundësojë BMW-së të ndërtojë dy modele elektrike të gjeneratës së ardhshme, Mini Cooper dhe Mini Aceman, në fabrikën e saj në Oksford, së bashku me automjetet konvencionale.

“Investimi i BMW-së është një shembull tjetër i ndritshëm se si Britania e Madhe është vendi më i mirë për të ndërtuar automjete të së ardhmes”, ka deklaruar kryeministri Rishi Sunak, duke vlerësuar mbështetjen e qeverisë së tij për industrinë në drejtim të rritjes dhe punësimit.

Lajmi vjen pas njoftimit të prodhuesit shumëkombësh të automjeteve Stellantis javën e kaluar se do të fillojë prodhimin e automjeteve elektrike në fabrikën e tij Ellesmere, pas një investimi prej 115 milionë eurosh.

Në korrik, grupi indian i automobilave Tata, i cili zotëron Jaguar Land Rover, njoftoi një investim prej 4,6 miliardë eurosh në një fabrikë automjetesh elektrike në Mbretërinë e Bashkuar./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala