El Pais: Kush është Mira Murati, një nga femrat më me ndikim në botë në vitin 2023?

Shefja e teknologjisë së OpenAI u përfshi në listën e ‘Financial Times’ të grave më të fuqishme të vitit.

Pak gra kanë aq pushtet sa ajo në zyrat e kompanive të mëdha të teknologjisë, një territor me një mbipërfaqësim të burrave. Mira Murati (Vlorë, Shqipëri, 34 vjeçe) ka qenë një nga aktoret kryesore të tërmetit të quajtur OpenAI, kompani kjo të cilën vetëm një vit më parë askush nuk e njihte dhe sot e vendos ritmin në industrinë e inteligjencës artificiale (AI). Si shefe e teknologjisë së kompanisë, Murati e ka mbikëqyrur ekipin që e ka zhvilluar robotin e njohur bisedues ChatGPT, aplikacionin më të suksesshëm në histori dhe gjeneratorin e imazheve Dall-E. Emri i saj ishte i pari që u konsiderua për të zëvendësuar Shefin Ekzekutiv Sam Altman kur bordi i drejtorëve të kompanisë e rrëzoi atë tre javë më parë (ai u rivendos pesë ditë më vonë).

Ky rekord dhe pozicioni i saj si shefe ekzekutive në OpenAI – një nga kompanitë më të rëndësishme të momentit – e ka vendosur atë në listën e Financial Times të grave më me ndikim të vitit. Në listë përfshihet gjithashtu futbollistja spanjolle Jenni Hermoso, këngëtarja Beyoncé, aktorja Margot Robbie, CEO e General Motors Mary Barra dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula vor den Leyen.

Mira Murati ishte një nga katër personat që e themeluan OpenAI. Përveç saj dhe Altman-it, grupi përfshin Ilya Sutskever, shkencëtarin kryesor, i cili u favorizua për mbështetjen e shkarkimit të Altman-it, dhe Greg Brockman, president i kompanisë. Mira Murati i qëndroi besnike mikut të saj kur u pushua nga puna: pavarësisht se u zgjodh si Shefe e përkohshme Ekzekutive, ajo iu bashkua letrës së nënshkruar nga 95% e stafit të kompanisë që kërkonte rivendosjen e Altman si Shef i OpenAI, duke kërcënuar në të kundërt se do të pranonte ofertën e Microsoft për t’i punësuar të gjithë.

Me origjinë shqiptare, Mira Murati ka një diplomë në Inxhinieri Mekanike nga Kolegji Dartmouth, universiteti amerikan ku lindi disiplina e IA. Para se të vinte në OpenAI, ajo ishte analiste në Goldman Sachs, inxhiniere në kompaninë franceze të hapësirës ajrore Zodiac Aerospace, menaxhere produktesh në Tesla, ku mbikëqyrte Model X dhe zëvendëspresidente e produkteve në Leap Motion, një kompani e realitetit virtual. Në vitin 2018, ajo u hodh në OpenAI sepse njohuritë e saj për gjendjen e artit në AI e bënë të mendonte se AI e përgjithshme, lloji që arrin ose tejkalon aftësitë njerëzore, ishte afër të bëhej realitet. Ajo donte të ishte pjesë e zhvillimit të saj, ka thëmë Murati në një intervistë të publikuar nga Wired, dhe ajo e ka ndjerë se vendi më i mirë për të ishte OpenAI.

Përveç udhëheqjes së ekipit të zhvilluesve, Murati luajti gjithashtu një rol kyç në zhvillimin e ChatGPT: Kontrolloi që chatbot të mos ishte i njëanshëm dhe të mos i mashtronte njerëzit, diçka që duket se zgjidhet më mirë në versionin e dytë të mjetit.

Murati është e vetmja grua e rangut të lartë në OpenAI, një kompani që, duke gjykuar nga ndryshimet e fundit në strukturën organizative, duket se nuk është adhuruese e feminizmit. Një nga këshilltarët e rinj është ish-sekretari i Thesarit Larry Summers, i cili në vitin 2005 pati thënë se dallimet e lindura gjinore shpjegojnë pse ka më pak gra me karriera të suksesshme në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë)./El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala