Tesla planifikon të prodhojë automjete elektrike në Europë me çmim 25 mijë euro 

Çmimi mesatar i shitjes së një automjeti elektrik në tregun europian, sipas JATO Dynamics, është më shumë se 65 mijë euro dhe çmimet e larta janë një nga arsyet kryesore pse shumë njerëz që janë të interesuar për automjetet elektrike ende ngasin vetura me benzinë ​​dhe me naftë. Situata ka ndryshuar kohët e fundit, megjithatë, dhe prodhuesit e automjeteve të tilla si Stellantis duan t’u mundësojnë klientëve të blejnë e-automjete të përballueshme.

Po kështu mendon edhe Elon Musk, i cili më parë i ka përmendur planet për automjetin e tyre më të lirë, çmimi i të cilit do të ishte rreth 25 mijë dollarë. Vitin e kaluar, dukej se Tesla do të hiqte dorë nga zhvillimi i saj dhe Musk komentoi se ata nuk e kishin zotëruar ende teknologjinë që do t’i lejonte ata të prodhonin një automjet kaq të lirë. Por duket se gjërat kanë ndryshuar ndërkohë. Përkatësisht, siç thuhet nga Reuters, burimet e tyre nga kompania së fundi i kanë njoftuar për një risi që do t’u mundësonte të bënin pothuajse të gjithë shasinë në një copë, gjë që do të shpejtonte prodhimin dhe do t’i ulte kostot.

Falë kësaj risie, Tesla mund të jetë në gjendje të ketë sukses në një plan të mëparshëm dhe të bëjë një automjet më të vogël me një motor elektrik, çmimi i të cilit duhet të jetë i përballueshëm, ose më i përballueshëm në krahasim me automjetet e tyre aktuale. Sipas një burimi nga Tesla, i cili natyrisht dëshiron të mbetet anonim, kompania e Musk duhet ta prodhojë automjetin e tij më të lirë, me çmim rreth 25,000 euro, në Europë, domethënë në një fabrikë afër Berlinit.

Ajo që ende nuk dihet, dhe ajo për të cilën të gjithë janë më të interesuar, është – kur do të bëhet një gjë e tillë. Musk e ka vizituar këtë fabrikë në fund të javës së kaluar dhe i ka ndarë me punonjësit planet për prodhimin e automjetit të tyre më të lirë. Fabrika gjermane aktualisht prodhon automjetin elektrik më të shitur në Europë – Tesla Model Y.

Plani afatgjatë i Tesla-s është ta rrisë numrin e dërgesave të automjeteve të saj në 20 milionë deri në vitin 2030 dhe është e qartë se nëse duan të rrisin në mënyrë dramatike numrin e automjeteve të shitura, automjeti i tyre më i lirë duhet të luajë një rol kyç në këtë./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala