Rrjeti social 'X' pezullon për pak kohë llogarinë e të vesë së Alexei Navalny

Llogaria e Yulia Navalnaya në rrjetin social X (ish-Twitter) u pezullua shkurtimisht një ditë pasi ajo përdori platformën për t’u zotuar se do të vazhdojë fushatën e burrit të saj, Alexei Navalny, raporton BBC.

Navalnaya është e veja e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg të largët të Arktikut.

Të hënën më 19.02.2024, ajo postoi një video duke premtuar se do të luftonte për një “Rusi të lirë”, disa ditë pasi u konfirmua vdekja e Alexei Navalny në një burg rus.

Të martën pasdite, llogaria e saj për pak kohë nuk ishte e aksesueshme për përdoruesit.

Siç raporton tutje BBC, është e paqartë pse llogaria e saj u pezullua dhe më pas u rivendos.

As X dhe as pronari Elon Musk nuk kanë komentuar. BBC News ka kontaktuar X për koment.

Sipas udhëzimeve të X, llogaritë mund të pezullohen për postim të spam ose abuzim, ose nëse siguria e një llogarie është në rrezik.

Navalnaya, e cila përgjithësisht mbajti një profil të ulët gjatë fushatës së bashkëshortit të saj të ndjerë, krijoi një llogari në X të hënën.

Në një video-mesazh të postuar në të njëjtën ditë, zonja Navalnaya akuzoi autoritetet ruse se prisnin që gjurmët e agjentit nervor vdekjeprurës Novichok të zhdukeshin nga trupi i burrit të saj përpara se t’ia jepte atë familjes së tij. Kremlini tha se akuza ishte e pabazë dhe një hetim për vdekjen e tij ishte në vazhdim.

Deklarata emocionale me video, në të cilën zëri i saj mund të dëgjohej duke u dridhur nga pikëllimi dhe zemërimi, u shpërnda gjerësisht nga përdoruesit e tjerë.

Llogaria e saj ka mbledhur më shumë se 100,000 ndjekës që kur u krijua.

E veja e kritikut të Kremlinit, Yulia Navalnaya, e ka fajësuar publikisht presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për vdekjen e burrit të saj, si dhe është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër Kremlinit dhe se do t’i ndëshkojë përgjegjësit e vdekjes së tij.

“Tri ditë më parë, Vladimir Putin, e vrau burrin tim, Alexei Navalny”- tha Yulia Navalnaya në një video të shkurtër në X.

Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg.

Përgatiti:Xheneta Murtezaj