Sistemi i ri iOS 17 sjell një ndryshim që mund ta vështirësojë jetën për shumë përdorues

Përdoruesit e telefonave të mençur të Apple do të duhet t’i përdorin telefonat e tyre pak më me kujdes duke filluar nga kjo vjeshtë. Sidomos kur bëhet fjalë për thirrje.

Gjegjësisht, sipas informacioneve të disponueshme aktualisht, Apple do ta prezantojë një ndryshim të rëndësishëm në versionin e ri të sistemit të tij operativ për iPhone – pozicionin e ikonës së përfundimit të thirrjeve.

Deri më tani, përdoruesit e telefonave Apple mund ta përfundonin një telefonatë me sy pothuajse të mbyllur duke shtypur ikonën e kuqe në qendër të pjesës së poshtme të ekranit. Por duke filluar nga shtatori, ajo ikonë mund të gjendet në këndin e poshtëm djathtas.

Dhe ky nuk është ndryshimi i vetëm. Ndryshon edhe pamja e ikonave që ndodheshin në qendër të ekranit gjatë telefonatës dhe u jepnin përdoruesve opsione shtesë si fikja e zërit, ndezja e tastierës, shtimi i njerëzve në telefonatë, kalimi në FaceTime ose futja e kontakteve.

Sipas versionit beta të iOS 17 (i cili duhet të bëhet versioni aktual nga shtatori), i gjithë elementi me opsione shtesë është zhvendosur në fund të ekranit dhe ikona e kontaktit është hequr plotësisht. Opsionet e tjera kanë ndryshuar vende, të cilat sigurisht do të jenë të çuditshme për shumë përdorues të iPhone në fillim, dhe gjithashtu mund të rezultojnë në situata të pakëndshme nëse përdoruesit nuk shikojnë atë që klikojnë.

Ky është vetëm një nga ndryshimet që do të sjellë iOS 17. Kujtojmë se në fillim të qershorit, Apple prezantoi një version të ri të sistemit operativ në konferencën e zhvilluesve, i cili do të sjellë një sërë veçorish të reja, por edhe më në fund i ka korrigjuar gabimet në “korrigjimin automatik” që i kanë munduar prej vitesh përdoruesit./Tom’s Guide

Përgatiti: Nuhi Shala