‘Apple’ humb 200 miliardë dollarë në dy ditë pas raportimeve për ndalimin e iPhone në Kinë
Aksionet e Apple kanë rënë me 2.9% të enjten pas raportimeve se Kina planifikon ta zgjerojë ndalimin e përdorimit të iPhone-ve tek agjencitë dhe kompanitë e mbështetura nga qeveria.
Investitorët po shqetësohen për aftësinë e kompanisë publike më të vlefshme në botë për të bërë biznes në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Apple (AAPL) shënoi rënien e saj më të madhe ditore në më shumë se një muaj të mërkurën. Kompania humbi rreth 200 miliardë dollarë në dy ditë, dhe aksionet e saj janë aktualisht performuesi më i keq në Dow Jones Industrial Average.
Ndalimet mund të jenë një shenjë ogurzezë për Apple
Kina është tregu më i madh i huaj për produktet e kompanisë Apple dhe shitjet kineze përfaqësonin rreth një të pestën e të ardhurave totale të kompanisë vitin e kaluar. Apple nuk i zbulon shitjet e iPhone sipas vendeve, mirëpo analistët në firmën kërkimore TechInsights vlerësojnë se ka pasur më shumë shitje të iPhone në Kinë sesa në Shtetet e Bashkuara tremujorin e kaluar. Apple gjithashtu prodhon shumicën e iPhone-ve të saj në fabrikat kineze.
Apple me bazë në Cupertino, Kaliforni gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Pekinit, shkroi Brandon Nispel, analist në KeyBanc Capital, të mërkurën.
Për shkak të kësaj, kompania “është parë historikisht si relativisht e sigurt në Kinë nga kufizimet e qeverisë”. Këto ndalime të raportuara paraqesin një pyetje të rëndësishme, nëse “qeveria po e ndryshon qëndrimin e saj?”
Të mërkurën, Wall Street Journal raportoi se Kina e ka ndaluar përdorimin e iPhone për zyrtarët e qeverisë qendrore dhe se menaxherët e kishin njoftuar stafin për ndalimin përmes grupeve të bisedave ose takimeve.
Të enjten, Bloomberg raportoi se këto ndalime ishin shtrirë në kompanitë e mbështetura nga shteti, duke përfshirë gjigantin e energjisë PetroChina, i cili punëson miliona punëtorë dhe kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë kineze.
Analistët në Bank of America shkruan në një shënim të enjten se ndalimi i mundshëm i iPhone vjen pas një telefoni të ri të nivelit të lartë të lansuar nga prodhuesi kinez Huawei. Koha e lansimit, thanë analistët, është “interesante”.
Qeveria amerikane ka thënë të martën se po e heton telefonin inteligjent të ri.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan deklaroi gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për “më shumë informacion në lidhje me saktësisht karakterin dhe përbërjen e tyre” për të përcaktuar nëse palët i kanë anashkaluar kufizimet amerikane mbi eksportet e gjysmëpërçuesve për të krijuar çipin e ri.
Kompanitë e teknologjisë patën rënie pas këtyre lajmeve, Nasdaq Composite ra me rreth 0.9% të enjten dhe sektori i gjysmëpërçuesve ra me më shumë se 2%./CNN
Përgatiti: Nuhi Shala