Coca Cola prezanton një shije të re, të krijuar duke e përdorur intelegjencën artificiale

Coca Cola rikthehet me një tjetër shije misterioze këtë muaj pasi që kjo kompani prezantoi Y3000 Zero Sugar, një pije e re e krijuar përmes përpjekjeve dhe inovacionit të përbashkët të intelegjencës artificiale (AI) dhe njerëzve.

Pija e re i bashkohet segmentit ‘Krijimet’ e brendit dhe i fton fansat të ‘imagjinojnë se si shijon dhe ndjen e ardhmja’.

“Shpresojmë që Coca Cola të jetë akoma po aq e rëndësishme dhe freskuese në vitin 3000 sa është sot. Kështu që ne i vendosëm vetes një sfidë për ta eksploruar konceptin se çfarë shije mund të ketë Coca Cola e së ardhmes. Roli i secilës pikë është t’i përdorë teknologjitë më të fundit, më të avancuara dhe tendencat kulturore për të krijuar përvoja të reja”.

Pas përqafimit të realitetit të shtuar vitin e kaluar, ne e përqafojmë fuqinë e intelegjencës artificiale dhe vazhdojmë t’i ndërtojmë aftësitë e kompanisë sonë në këtë hapësirë ​​emocionuese. Platforma Coca Cola Creations ka krijuar rrugë të reja për ta thelluar angazhimin tonë me fansat ekzistues dhe ata që mund të mos e kenë marrë parasysh markën më parë”, thotë Oana Vlad, drejtorshë e lartë e strategjisë globale në Coca Cola.

Coca Cola deklaron se ata “krijuan përvojën Y3000 duke e kombinuar intelegjencën njerëzore dhe artificiale për të kuptuar se si njerëzit e imagjinojnë të ardhmen përmes emocioneve, aspiratave, ngjyrave dhe shijeve”. Tifozëve në mbarë botën iu kërkua të dërgonin komente se çfarë shije do të kishte pija e së ardhmes, gjë që ndihmoi Coca Cola-n ta krijonte atë. Përdorimi i intelegjencës artificiale e ndihmoi kompaninë të zhvillojë profile shijeje dhe të dizajnojë paketimin e jashtëm të produktit – logon dhe tekstin.

Çdo kanaçe Y3000 ka gjithashtu një kod QR, i cili kur skanohet dhe dërgohet në faqen Creations, do t’u japë klientëve një vështrim të fshehtë se si do të duket e ardhmja 977 vjet nga tani. Konsumatorët do të jenë në gjendje të hyjnë në Qendrën e Krijimeve të Coca Cola, ku mund të filtrojnë fotot përmes një kamere të personalizuar Y3000 AI.

Pija vjen me një dizajn futuristik paketimi duke përfshirë tone të ndritshme dhe ‘optimiste’, tha Coca Cola. Logotipi i Coca Cola Creations është i përbërë nga flluska me gaz dhe Script i Coca Cola Spencerian është bërë nga grupe pikash të lëngshme që lidhen për t’i përfaqësuar lidhjet njerëzore të planetit tonë të ardhshëm.

Që nga java e kaluar, shija e fshehtë mund të gjendet në të gjithë shitësit me pakicë në rajonet e Shteteve të Bashkuara, Afrikës dhe Evropës. Gjithashtu, është një shije e kufizuar, dhe kompania nuk ka zbuluar se cilat janë planet e tyre të mëtejshme. Shija e re duhet të mbetet e disponueshme në SHBA nga vjeshta, pasi Coca Cola njoftoi një partneritet me markën luksoze të modës Ambush për ta nxjerrë një koleksion veshjesh të frymëzuar nga pijet Y3000 më vonë këtë vit.

Coca Cola e ka punësuar Pratik Thakar si udhëheqësin global të inteligjencës artificiale gjeneruese, i cili beson se inteligjenca artificiale do ta kapërcejë hendekun midis krijimtarisë njerëzore dhe identitetit të markës, raportoi Forbes.

Coca Cola ka lëshuar disa shije të edicionit të kufizuar përmes Creations, më së fundmi Coca Cola Ultimate, që synon lojtarët dhe është bërë në partneritet me Riot Games, botues i lojës me shumë lojtarë në internet League of Legends. Përpara Ultimate erdhi Starlight i frymëzuar nga hapësira; Dreamworld, për të cilin kompania thotë se ka shije si ëndrra, dhe Byte, që supozohet të ketë shije si pikselë.

Coca Cola nuk është i vetmi brend që eksperimenton me inteligjencën artificiale gjeneruese. Klientët e gjigantëve të reklamave WPP, si Nestlé dhe Mondelez, po përdorin mjete gjeneruese të AI si DALL-E 2 i OpenAI për të krijuar reklama, raportoi The Verge. Udhëheqësit e këtyre kompanive thonë se përdorimi i mjeteve genAI ‘ul kostot dhe rrit produktivitetin’./tportal.hr

Përgatiti: Nuhi Shala