Publikimi i Raportit te Monitorimit te Gjykatave - 23.05.2019

Tahiri: Nëse ligjet bëhen pengesë për rezultate në drejtësi, do t`i ndryshojmë ato

Ministri i Drejtësish Abelard Tahiri, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Monitorimit të Gjykatave nga BIRN dhe Internews deklaroi se angazhimin e tij si ministër e ka mbështetur në tri raste.

“Asistenca për ngritjen e kapaciteteve në gjykata, në të cilën e kemi rritur numrin e gjyqtarëve. Poashtu reformat legjislative në të cilat kemi ngritë shumë çështje si kodi i procedurës penale”, tha ai.

Sipas ministrit me ligjin e ri pritet të ketë efikasitet në lidhje me konfiskimet e pasurisë.

“Si rezultat i ngecjes së konfiskimit të pasurisë ne kemi filluar procedurat për hartimin e ligjit të ri i cili do të jep efekte në ketë drejtim. Jemi në proces të themelimit të fondit të konfiskimit që mjetet që do të nxirren nga to do t`i masim se sa po arrijmë progres në ketë drejtim”, tha Tahiri.

Ai shtoi se ka pasur progres në momentin kur është hartuar ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve.

“Kemi bërë progres me ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, jemi ndër 15 vendet e para që kemi ligj për mbrojtjen e sinjalizuesve. Sot do t`ju japim kurajo që të paraqiten abuzimet me taksat e qytetarëve. Një prej çështjeve më të rëndësishme që e kemi adresu është ligji për përgjegjegjesinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve i cili besoj do t`i jap efektet e veta”, tha ai.

Ministri Tahiri u zotua se do të iniciojë ndryshime ligjore nëse ligjet janë pengesë për rezultate në drejtësi.

“Nuk mund të rrimë duarkryq, nëse ligjet janë pengesë për rezultate në drejtësi do iniciojmë ndryshimin e tyre”, tha ministri Tahiri.

Ndryshe, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova publikuan Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

Ky raport fokus të veçantë ka rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave dhe rastet korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2018, por gjithashtu trajton problemet e tjera të trashëguara, të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren.

Për më shumë, raporti thekson mungesën e efikasitetit në trajtimin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, neglizhencën në trajtimin e rasteve të korrupsionit, dështimin për ta goditur krimin përmes konfiskimit të pasurisë si dhe shkeljet procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.