Vashat e Kosovës do të marrin pjesë në garat zyrtare të FIBA-s

Federata e Basketbollit e Kosovës, ka njoftuar se ka marrë vendim që Kombëtarja e Kosovës në basketboll në kategorinë e vajzave do të marrë pjesë në garat zyrtare të FIBA-s.

FBK ka bërë të ditur se vashat e Kosovës do të marrin pjesë në “FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla”, që do të mbahet në vitin 2021 në Nicosia të Qipros, nga 15 deri më 20 qershor.

Në këtë kampionat shtetet që kanë aplikuar për pjesëmarrje janë: Norvegjia, Irlanda, Malta, Andorra, Qipro, Gjibraltari, Luksemburgu dhe Kosova.

FBK-ja thotë se do t’i bëjnë përgatitjet e duhura që të kenë paraqitje të mirë në garat të cilat organizohen nga FIBA.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se janë të lumtur për marrjen e këtij vendimi.

“Jemi shumë të lumtur që pas shumë diskutimeve dhe analizave, Bordi i FBK-së ka vendosur që Kosova A (femrat) të paraqitet zyrtarisht në garat ndërkombëtare. Kjo është hera e parë që vashat e Kosovës në kategorinë e senioreve do të luajnë në garat ndërkombëtare të organizuara nga FIBA. Ky vendim është shumë i mirëseardhur dhe njëkohësisht shumë i rëndësishëm, pasi vashat tona do të kenë mundësi të përfaqësojnë vendin sa më denjësisht në garat ndërkombëtare”, Elvira Dushku.