Kuvendi Komunal i Gjilanit - Foto: Facebook

Transmetimi i seancave 'mollë sherri' pozitë-opozitë në Kuvendin e Gjilanit

Transmetimi i seancave është bërë “mollë sherri” mes pozitës e opozitës, e cila është shumicë në Kuvendin e Gjilanit dhe arsyeja që opozita ka braktisur sallën tri herë.

Në seancën e mbajtur më 25.05.2024 pretendohet se ka pasur edhe ofendime e thuajse dhe konfrontim fizik.

“Opozita (LDK, PDK, AAK, Vatra, LS) e kanë lëshuar seancën me arsyetim se nuk ka kushte për vazhdimin e saj, pasi qytetarëve nuk po u mundësohet të ndjekin online punimet e Kuvendit”- thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Për disa vite, seancat e Kuvendit Komunal janë transmetuar nga radion lokale “Radio Star”, me të cilën komuna kishte nënshkruar kontratë. Pas skadimit të kontratës dhe transmetimit nga radio, seancat janë publikuar vetëm në Youtube përmes kamerave të Komunës.

Opozita ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje që transmetimi të jetë sa më i qasshëm për qytetarët dhe sa më profesional. Kjo temë u diskutua edhe në seancën e fundit.

Gentrit Murseli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në një prononcim për KALLXO.com tha se asamblistja, Drenushë Maloku po ashtu nga LDK është ofenduar nga anëtarë të Vetëvendosjes gjatë seancës.

Për këtë ofendim, Murseli thotë se shefi i asamblistëve, Avdyl Aliu ka kërkuar që kushdo që e ka thënë të kërkojë falje e të ndiej keqardhje, por pas kësaj, ai pretendon se asamblisti Arianit Sadiku (LVV) është nisur “për të qëruar hesapet” drejt Aliut, por është ndaluar nga bashkëpartiakët e tij.

“Aliu ka kërku që me kërku falje ose me ndi keqardhje për atë fjalë banale që ata e kanë përdorur edhe në atë moment, Arianit Sadiku është vërsulur në drejtim të Aliut. I ka bo 4-5 hapa edhe ka ardhë në drejtim të grupit parlamentar edhe konkretisht e ka pas synim me i qërua hesapet me Aliun”- tha Murseli, i cili shtoi se nëse nuk do ndalej nga të tjerët, konfrontimi fizik do të ishte i pashmangshëm.

Maloku konfirmoi se është ofenduar, madje jo për herë të parë, por nuk pranoi të japë emra duke thënë se flet shefi i grupit të LDK-së, Avdyl Aliu.

KALLXO.com ka tentuar ta kontaktojë Aliun përmes telefonit për të gjitha pretendimet, por deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk ka qenë i qasshëm.

Ky pretendim i Murselit u mohua nga vetë Sadiku, por u pohua nga kolegu i tij, Ismajl Kurteshi i Vetëvendosjes, të dy të kontaktuar nga KALLXO.com.

“Shpesh nëpër seanca kur ka acarime të tilla njerëzit çohen në këmbë, qysh çohet edhe vetë Avdyl Aliu. Edhe pas seancës, Aliun e kam taku jashtë dhe kemi bisedu për situatën… Në atë formë nuk është e vërtetë. Krejt varet qysh e ndërton narracionin”- tha Sadiku.

Ai tha se ka pasur vetëm ngritje të tensionit përmes fjalëve e se pretendimi i LDK-së nuk qëndron, por nuk pranoi të japë versionin e tij se çfarë ka ndodhur.

Se Aliu e Sadiku kanë biseduar pas seancës jashtë e ka konfirmuar edhe Murseli.

Ndërkaq, Kurteshi tha se është fakt që Sadiku është nisur në drejtim të tij, por është ndaluar menjëherë nga të tjerë.

“Aliu ka thënë që duhet me kërku falje dikush, Arianiti është nis në drejtim, është fakt. Në rrugë aty menjëherë kur është nis, se në sallë fizikisht janë larg njëri-tjetrit, ka ndërhy dikush e ka ndal Arianitin, ata kanë dal prej seancës”- tha Kurteshi.

Sa i përket ofendimit, të dy mohuan të kenë dëgjuar ofendim. Kurteshi shtoi se nëse ka pasur ofendim është shumë e pahijshme nga kushdo që e ka thënë.

Krejt kjo seancë nuk është xhiruar fare. Kështu tha Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, i cili vjen nga Lëvizja Qytetare Vatra.

“Për çudi, në këtë seancë kamerat nuk kanë qenë të kyçura fare, veç në këtë seancë. Me pretendimin se nuk është duke bo rrjeti. Kjo është përgjegjësi e Kryetarit, zyrtarët e IT-së që janë përgjegjës për me e përcjell punën e Kuvendit në media”- tha ai.

Edhe Kadriu tha se ka dëgjuar ofendimin, por nuk e ka identifikuar se kush e ka thënë. Por, meqë audio e seancës është incizuar, pret që të sqarohet përmes procesverbalit.

Pretendimet për transmetimin e seancave

Në seancën e djeshme, Ismajl Kurteshi tha se ka folur për Udhëzimin Administrativ 04/2023 për Administratë të Hapur në Komunë.

Neni 6 i këtij UA thotë se organet e komunës janë të obliguara të sigurojnë qasje aktive në përdorimin e sistemit të teleprezencës, me qëllim të krijimit të kushteve për monitorim dhe vlerësim të proceseve për mekanizmat monitoruese të MAPL-së, palëve të interesuara dhe institucioneve tjera në mbledhjet e Kuvendit të Komunës, përmes stafit të autorizuar të komunës.

Për këtë më tej thuhet se Komuna mund të përdorë aplikacione si ‘live meeting office comunicator’, apo transmetime direkte në Youtube apo rrjetet sociale për të garantuar publicitet, si dhe çfarëdo platforme të ligjshme për të transmetuar drejtpërdrejtë ngjarjen.

Kurteshi thotë se Komuna e ka siguruar njërën prej këtyre formave përmes transmetimit në Youtube me kamerat e komunës.

Megjithatë, ai tha se e sheh si neglizhencë të udhëheqjes komunale që nuk ka kërkuar takim për ta diskutuar këtë, sepse humbja e seancave është në dëm të qytetarëve.

Por, Murseli nga LDK tha se kamerat e komunës kanë rezolucion të dobët dhe se qasja për qytetarin duhet të jetë sa më e lehtë, përmes rrjeteve të tjera sociale.

“Me avancimin e teknologjisë, nuk kanë ndryshu edhe rregulloret e udhëzimet administrative për formën edhe përcjelljen e publikimin e Kuvendit. Në qoftë se para 10 vjetësh u kanë rregull që një seancë me e publiku në Youtube se është dok ma së miri ma së lehti edhe njerëzit kanë mujt me hi me ngu aty. Sot ka avancim teknologjik dhe në rrjetet sociale, ku duhet me u kanë seanca e përcjellë në atë formë që me ia bo sa ma të lehtë qasjen qytetarit. Nëse e publikon një link në Yotube, unë nuk e di sa veta kanë me hy edhe me t’ngu çka je t`u fol në seancë të Kuvendit. Ajo duhet me kanë drejtpërdrejt në rrjete sociale që i përcjellin sot krejt si Facebook-u ose naj vend tjetër”- tha ai.

Kryesuesi i Kuvendit tha se ka rreth 9 muaj që ka skaduar kontrata me operatorin për transmetim të seancave në media.

“Për disa muaj operatori ka vazhdu me i xhiru seancat në mënyrë vullnetare. Ai tash është ndal edhe ma s’kemi pas transmetim”- tha ai.

Kadriu tha se ka dërguar kërkesë te kryetari i komunës para çdo seance për të bërë një zgjidhje, por nuk ka pranuar përgjigje me shkrim.

“Ekzekutivi e prolongon këtë punë me qëllim të bojkotimit të punës së asamblesë komunale. Nuk ka logjikë 9 muaj të merremi me zgjidhjen e një problemi të transmetimit të seancave. Nuk e kuptoj, kjo s’ka qenë kurrë problem. Kuvendi komunal i Gjilanit në vitin 2001 ka pas transmetim nga dy televizione, në vitin 2024 s’ka transmetim hiç”- shtoi ai.

Përderisa, ai ia lë përgjegjësinë kryetarit, Sadiku nga LVV thotë se kryesuesi i ka mjetet e veta që mund t’i shfrytëzojë, por me to do “të bëjë vizita studimore jashtë vendit”.

Sipas tij, qëllimi kryesor i LDK-së është që të mos bëhet bartja e mjeteve financiare të mbetura nga vitit i shkuar në këtë vit, sepse që disa seanca është shtyrë kjo çështje.

Përgjegjësi për media në zyrën e kryetarit, Besart Selimi tha se transmetimi po bëhet nga Komuna në Youtube dhe në uebfaqe të Komunës. Këto incizime, ai tha se në vazhdimësi i pranon edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Në momentin që ne e bëjmë transmetimin edhe dëgjimit e zërit edhe pamjen e dërgojmë në MAPL, që është organi i vetëm shqyrtues që e pranon ose jo transmetimin. Përderisa MAPL thotë që gjithçka është në rregull me këtë transmetim, i bie që ne jemi në rregull”- tha ai.

Sipas Selimit, zgjidhja ekziston, por nuk po pranohet për shkak të leverdive e manipulimeve që “duan t’i bëjnë me kompani private për transmetime”.

“Mbi të gjitha kryetari i komunës, qeverisja nuk obligohet për me e bo transmetimin por obligohet kuvendi komunal. Ne nuk e kemi shumicën, ata e kanë, e kanë kryesuesin e tyre. Ne po dojmë me i shfrytëzu resurset që i ka komuna, që janë legjitime. Nëse dojnë ata me bo me kompani private le t`i paguajnë vetë shpenzimet”- shtoi ai.

Lidhur me mos incizimin e seancës së fundit, ai tha se ka mundësi që ka pasur probleme me internet, por atëherë ka të bëjë me internetin shtetëror nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI).

Opozita është bërë shumicë në Kuvendin Komunal në Gjilan pas prishjes së koalicionit mes LVV-së dhe PDK-së.