Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri duke festuar me shqiponjë pas golave Foto:Laurent Gillieron/EPA

FIFA dënon Serbinë për sjellje të pahijshme të lojtarëve dhe fyerjes së Xhakës dhe Shaqirit nga tifozët serbë

Komiteti Disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë me 50 mijë franga për thirrjet fyese të tifozëve dhe sjelljeve të pahijshme të lojtarëve e zyrtarëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Në ndeshjen e kampionatit botëror “Katar 2022”, tifozët serbë kanë fyer vazhdimisht sulmuesin shqiptar që luan për kombëtarën zvicerane, Xherdan Shaqirin dhe mesfushorin, Granit Xhaka.

FIFA shpjegon se bëhet fjalë për thirrjet e tifozëve serbë e po ashtu sjelljet e pahijshme të ekipit serb, përkatësisht ndëshkimin e shtatë lojtarëve të Serbisë me kartona të verdhë.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me gjobë prej 50 mijë franga zvicerane dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (prej 25 për qind), në ndeshjen zyrtare të radhës të përfaqësueses A. Dënimi është për shkelje të neneve 13 (diskriminimi) dhe 12 (sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA, gjatë ndeshjes Serbi- Zvicër”- thuhet në vendimin e komitetit.

Kombëtarja e Zvicrës kishte eliminuar atë të Serbisë nga kampionati botëror “Katar 2022” me rezultat prej 3-2.

Ishte sulmuesi kosovar, Xherdan Shaqiri, i cili shënoi golin e parë në minutën e ’20, me asistim të Djibril Soë.

FIFA kishte dënuar edhe një herë Serbinë gjatë botërorit “Katar 2022”, në lidhje me flamurin me hartën e Serbisë, që përfshinte edhe Kosovën, bashkë me mbishkrimin “Jo dorëzim” në dhomat e zhveshjes.

Federata serbe e futbollit u gjobit me 20,000 franga zvicerane për një flamur me një mbishkrim për Kosovën, të shfaqur në dhomat e zhveshjes përpara se të luante me Brazilin në ndeshjen hapëse.

Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA për këtë flamur, i cili ishte varur mbi dollapët e dy lojtarëve të Serbisë më 24 nëntor.

Ndërkaq, FIFA ka hapur procedura edhe për fituesen e botërorit, Argjentinën, për shkak të shkeljeve të mundshme të neneve si “Sjellje ofenduese dhe shkelje të parimeve të lojës së ndershme” dhe “Sjellje e keqe e lojtarëve dhe zyrtarëve”, në ndeshjen e finales kundër Francës.