Po shiten bileta në 'treg të zi' për ndeshjen ndaj Spanjës, reagon FFK
Edhe pse Federata e Futbollit të Kosovës kishte njoftuar se nuk do të këtë shitje të biletave për ndeshjet kundër Greqisë dhe Spanjës, sot në faqet e shitblerjeve kanë qarkulluar disa bileta për ndeshjen mes Kosovës dhe Spanjës.
FFK-ja kishte njoftuar se biletat do të jenë në dispozicion vetëm për grupin e tifoëzve “Dardanët”, protokollit të shtetit si dhe stafit organizativ.
Por edhe pse zyrtarisht nuk ka pasur bileta në shitje nga ana e FFK-së, persona të panjohur kanë nisur shitjen e tyre online.
Lidhur me këtë kanë reaguar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës.
‘’Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se edhe në ndeshjen Kosovë – Spanjë, në bazë të masave të Qeverisë kundër COVID-19, do të shfrytëzohet vetëm 10 % e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” dhe të gjitha biletat jepen falas. Në këtë përqindje përfshihen: stafi organizativ, tifozët “Dardanët”, ekipet e të dyja kombëtareve dhe zyrtaret. Te gjithë ata të cilët janë pajisur me bileta kërkojmë që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos i keqpërdorin ato’’ thuhet në njoftimin e FFK-së
Po ashtu nga Federata kanë bërë apel që të mos bien pre e mashtrueseve për shitjen e biletave pasi që bileta për ndeshjen Kosovë-Spanjë nuk ka
‘’Po ashtu, ftojmë opinionin që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtruesve, të cilët mund të vendosin bileta false në treg, pasi të gjithë biletat janë falas dhe e kanë kodin e sigurisë, pa të cilin hyrja në stadium është e pamundur’’ thonë nga FFK-ja
Po ashtu Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë thirrje që rastet e keqpërdorimit të biletave të paraqiten tek organet e rendit.
‘’Në rast se keni njohuri për keqpërdorim të biletave nga persona të caktuar, ju lusim që ato raste t’i denonconi në policinë e Kosovës’’ thuhet në fund të komunikatës.
KALLXO.com ka kontaktuar me numrin që është vendosur online, mirëpo personi i cili është lajmëruar ka thënë se “dikush ka vendosur numrin tim aty, unë nuk jam duke shitur bileta”.