Përfundon pa fitues ndeshja e veteranëve Kosovë – Shqipëri

Miqësorja e veteranëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është zhvilluar sot në stadiumin e KF 2 Korrikut, në nderë të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë ndeshje janë paraqitur ish-yje të futbollit nga të dy palët.

Ndeshja përfundoi pa fitues duke përfunduar me rezultat 0-0.

Në njërën anë ish-futbollistë të njohur të Kosovës si Muharrem Sahiti, Eroll Salihu, Shaban Baholli, Haxhi Zeka, Bedredin Gjinali dhe në anën tjetër yjet e Kombëtares shqiptare ndër vite si Altin Lala, Alban Bushi, Erion Bogdani, Armend Dallku e Klodian Duro shfaqën lojë  atraktive përgjatë 80 minutave, duke dëshmuar se pavarësisht moshës dhe peshës klasi ka mbetur aty.

Pas ndeshjes deklaruan Eroll Salihu nga Kosova duke thënë se e kanë obligim që në festa të tilla të bashkohen si shqiptarë.

“Mendoj se e kemi obligim që në festa të tilla të bashkohemi si shqiptarë, e veçmas komuniteti sportiv. Po ashtu, duhet ta kuptojmë të gjithë se sa e rëndësishme është Dita e Pavarësisë sepse kemi kaluar nëpër shumë sakrifica për të arritur deri këtu ku jem sot. I falënderojmë vëllezërit tanë nga Shqipëria që na nderuan sepse po shihni që këtu sot zbarkuan emra shumë të njohur të futbollit shqiptar. Përpos miqësisë së përhershme që e kemi, sot, po e shënojmë edhe njërën prej ditëve më të rëndësishme në historinë tonë”, ka deklaruar Eroll Salihu.

Kurse, Altin Lala nga Shqipëria ka thënë ndeshje të tilla duhet të zhvillohen çdo vit.

“Kjo ishte një ndeshje vëllazërore dhe besoj se do të bëhet çdo vit. Para ndeshjes bisedova me presidentin Ademi dhe u dakorduam që në të ardhmen ndeshjet e këtilla të zhvillohen me shikues dhe të shndërrohen në spektakle futbolli. Kosova ishte në gjendje më të mirë fizike, sepse lojtarët duket se aktivizohen më shpesh, por rëndësi ka fakti që gjithçka kaloi mirë dhe pa dëmtime. Unë vij shpesh në Kosovë dhe kam parë ndryshime shumë pozitive. Madje, do të thosha se edhe Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova pavarësish se është shtet i ri. I uroj gjithë të mirat Kosovës dhe sa më parë të bëhet edhe liberalizimi i vizave sepse kjo do të ishte gjë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm si popujt e tjerë të Evropës”, ka deklaruar Altin Lala.