Nuk ka stërvitje për basketbollistët kosovarë, FBK shtynë grumbullimin e kombëtares në shtator

Basketbollistët kosovar i kanë ndërprerë stërvitjet nga muaji mars i këtij viti për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e coronavirusit.

Federata e Basketbollit e Kosovës, e ka anuluar kampionatin për shkak të COVID-19.

Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja mbrojtëse për COVID-19, duke i ndaluar aktivitetet sportive në ambiente të mbyllura, që do të thotë, klubet e basketbollit dhe basketbollistët nuk do të kenë mundësi të stërviten që të bëhen gati për sezonin e ri.

“Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj. Lejohen vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës i cili ka hyrë në fuqi sot më 30 korrik.

Përzgjedhësi i Kosovës A, në basketboll në kategorinë e meshkujve Christos Marmarinos kishte bërë plane që të mbaj një grumbullim disa ditor në muajin gusht dhe duke i bërë disa ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjes për ndeshjet e nëntorit ndaj Sllovakisë dhe Islandës që luhet në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, në një përgjigje për KALLXO.com, ka treguar se grumbullimi i Kosovës A është shtyrë për në shtator. Ai po ashtu ka thënë se duhet t’i respektojnë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.

“Kemi marrë vendim që grumbullimi i gushtit të anulohet, të shtyhet për shtator. Nuk do të ketë grumbullim siç e kemi parapraë, duke e parë situatën që jemi për shkak të pandemisë. Është situatë e jashtëzakonshme, duhet t’iu përshtatemi, aspak e favorshme për ne dhe sportit”, ka thënë Granit Rugova për KALLXO.com.