Kryeqyteti paraqet kandidaturën për Qytetin Europian të Sportit 2024

Komuna e Prishtinës ka paraqitur kandidaturën për t`u përzgjedhur Qyteti Europian i Sportit për vitin 2024.

Kryetari Përparim Rama përmes një konference tregoi se për dy ditë komisioni vlerësues i ACES Europe po qëndron në Prishtinë për të parë terrenet sportive.

“Kemi mirëpritur këto ditë komisionin vlerësues të ACES Europe (Asociacion i cili cdo vit zgjedh Kryeqytetin Europian të Sportit) për të parë nga afër terrenet tona sportive, angazhimin tonë për fitimin e këtij titulli si dhe mikpritjen e madhe të prishtinasve. Kjo kandidaturë e Prishtinës nuk është thjeshtë aspiratë për një tjetër titull, është zotim i qartë për të krijuar një qytet që përqafon shëndetin, gjithë përfshirjen dhe elanin sportive”- u shpreh ai.

Rama theksoi se derisa përgatiten për lojërat mesdhetare të vitit 2030 e shohim këtë kandidaturë si një hap të rëndësishëm që do ndihmojë shumë drejt qëllimit të tyre madhor.

“Synimi ynë që Prishtina të jetë kryeqytet i sportit në vitin 2024 nuk ka të bëjë vetëm me një njohje, bëhet fjalë për ta deklaruar angazhimin tonë për një qytet sa më të rëndësishëm, dinamik dhe gjithëpërfshirës. Parashikojmë investime të shumta në infrastrukturë, titulli do jetë katalizatorë për këtë të ardhme premtuese, ka përftime të shumëfishta, si njohja e shtuar ndërkombëtare, ndikim mediatik, investime, mundësia e granteve nga BE për sport”- th ai.

Derisa, Hugo Alonso nga ACES Europe që ishte pjesë e komisionit që po qëndron në Prishtinë për dy ditë në vizitë të terreneve sportive u shpreh se Kosova mund të nxjerrë shumë përfitime nëse fiton këtë titull për vitin 2024.

“Do ketë përfitime ekonomike, njohje ndërkombëtare, marrja pjesë në rrjet të madh sportesh, mundësi për të marr fonde. Prishtina ka profil shumë sportiv, ka infrastrukturë shumë të mirë sportive dhe do ndërtojë edhe më shumë për shkak të lojërave mesdhetare. Prishtina ka të gjitha elementet për të qenë qytet i sportit”- shtoi ai.

Alonso theksoi se do dalin me njoftim nëse zgjidhet Prishtina, në fund të javës së ardhshme.

“Do marrin flamurin më 7 dhjetor në Parlamentin Europian me një ceremoni të madhe me qindra kryetar komunash nëse zgjedhet”- shtoi ai.

Endrit Hoxha, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit në Shqipëri i cili ishte edhe pjesë e këtij komisionit u shpreh se ka parë punë të jashtëzakonshme nga komuna e Prishtinës për të marr këtë titull për vitin 2024.

“Vij nga një ekspertizë pasi Tirana veçse ka qenë kryeqytet europian i sportit, si pjesë e komisionit kemi parë një punë jashtëzakonisht të mirë, prezantimi ishte realizuar në mënyrë të përkryer dhe realisht ne kemi mbetur të habitur nga infrastruktura, projektet dhe dëshira kaq e madhe për të fituar këtë titull. Prishtina e meriton këtë titull”- u shpreh ai.

Derisa, drejtori i Sportit në Komunë, Granit Rugova falënderoi sportistët si Majlinda Kelmendi, Uta Ibrahimi e Lorik Cana si ambasadorë të Kosovës për kandidim të marrjes së këtij titulli.

“Procesi për kandidaturë ka nisur nga janari i këtij viti me detaje për sportin e infrastrukturëen në qytet”- u shpreh Rugova.