Ismet Krasniqi edhe zyrtarisht merr drejtimin e Komitetit Olimpik të Kosovës

Ismet Krasniqi edhe zyrtarisht ka marrë detyrën e presidentit të Komitetit Olimpik.

Ish-presidenti i deritanishëm, Besim Hasani, sot ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e udhëheqjes së KOK-ut, Ismet Krasniqit.

Hasani i  cili e ka drejtuar KOK-un nga viti 1996 e ka uruar Krasniqin për marrjen e detyrës.

“Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese. Uroj që përkujdesi dhe përkushtimi juaj të jetë maksimal. Stafin që është këtu e kam lutur që të angazhohet edhe më shumë se sa me mua, vetëm e vetëm që kjo foshnje (KOK-u) gjashtë-vjeçare të rritet shëndetshëm dhe fuqishëm”, tha ndër të tjera ish-presidenti Hasani, i cili shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij për KOK-un, sa herë që t’i kërkohet.

Nga ana e tij, presidenti Krasniqi falënderoi Hasanin për punën e bërë, duke i vlerësuar lartë fjalët e tij.

“Këto fjalë që mi thatë nuk do t’i harroj kurrë dhe u premtoj se do të japim maksimumin për t’i mbajtur. Është e vëretetë që Komiteti Olimpik i Kosovës është një foshnje, por ne do të angazhohemi për ta rritur dhe për ta zhvilluar sa më shumë”, ka thënë Krasniqi.