Aksioni simbolik i organizatës studentore "Reforma" në objektin e Ministrisë së Arsimit | Foto: Kallxo.com

Organizata studentore ‘Reforma’ mban aksion te MASHTI pas rezultatit të testit PISA

Me një fotografi të një diplome universitare që pretendohet se është e ministres  së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe me një fotografi të tabelës së renditjes së Kosovës në testin PISA, organizata studentore “Reforma” përmes një aksioni simbolik në oborrin e Ministrisë së Arsimit bëri thirrje për reformë të thellë në arsim.

“Si çdo vit tjetër ashtu edhe në këtë test, ne ndonëse jemi të zhgënjyer, të befasuar nuk jemi aspak për shkak se nuk kemi pse të jemi të befasuar kur e shohim që dikasteri i Ministrisë së Arsimit udhëhiqet nga një ministre të cilës i është dashur jo më pak sesa 10 vite ta përfundojë masterin me një notë mesatare qesharake 6.44” – tha Ismet Krasniqi, kryetari i organizatës “Reforma”.

Ndonëse sipas tij përgjegjës mbesin edhe qeveritë e kaluara duke qenë se arsimi nuk ishte prioritet i asnjë partie deri më tash dhe ende nuk vazhdon të jetë.

“Si çdo ministri e kaluar ashtu edhe kjo ministri, fatkeqësisht nuk po investon në cilësinë e arsimit, por në shtrirjen e ndikimit. Ne tashmë veçse jemi duke hulumtuar për raste kur ministria ka dorë në zgjedhjen e prorektorëve si në Universitetin e Prishtinës ashtu edhe në universitet e tjera” – tha tutje Krasniqi.

Sipas tyre, reformat e para që duhen bërë në sistemin e arsimit në Kosovë është ajo e testimit të mësimdhënësve.

Edhe grevat nga SBASHK-u sipas Krasniqit janë ato të cilat kanë krijuar këto rezultate të testit PISA.

“Mos të harrojmë këtu edhe grevat që çdo fillim të vitit të ri akademik ne kërcënohemi nga SBASHK-u me greva” – tha Ismet Krasniqi.

Njëjtë ka potencuar edhe Gren Cakolli, anëtari tjetër i kësaj organizate, veçse sipas tij fajtorë mbesin edhe nxënësit.

“Problemi i vetëm nuk është vetëm i rezultatit të testit PISA, problemi është që nuk po merret seriozisht asnjë vit. Përgjegjës për këtë rezultat janë SBASHK-u. Ministria e Arsimit, por mund të them edhe nxënësit për shkak se edhe ata duhet ta marrin seriozisht” – tha Cakolli.

Sipas rezultateve të testit PISA, Kosova edhe këtë vit është radhitur pothuajse e fundit.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018.

Në lexim, Kosova është e 76-ta nga 80 vendet pjesëmarrëse, me 342 pikë.

Në shkencë, Kosova renditet e 77-ta nga 80 vende pjesëmarrëse, me 357 pikë, në këtë fushë ka rënie më të ulët për 6 pikë krahasuar me vitin 2018.

20 përqind e nxënësve kosovarë, sipas testit ‘PISA’ kanë arrit nivelin e kënaqshëm kurse të tjerët janë nën nivelin e kënaqshmërisë.