Endrit Krasniqi kërkon fitore ndaj Feronikelit

Prishtina do të përballet me Feronikelin, të premtën nga ora 13:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës.

Mesfushori i kryeqytetasve, Endrit Krasniqi, ka thënë se nesër ndaj Feronikelit objektivin e vetëm e kanë fitoren.

“Mendoj se të gjitha ndeshjet e mbetura të stinorit vjeshtor është e rëndësishme dhe gjithsecila më e vështirë se tjetra dhe që të gjitha pretenduese për kreun e tabelës. Shpresoj që  me lojë të mirë të korrim fitore në përballjen me Feronikelin të cilët kanë ekip të mirë edhe pse nuk e kanë pasur formën optimale nga fillimi i kampionatit. Janë ekip i rrezikshëm, por ne do të mundohemi të kryejmë detyrat tona të cilat i kemi për të arritur objektivin që kemi”, ka thënë Krasniqi për faqen zyrtare të klubit të Prishtinës.

Krasniqi ka folur edhe për formën e tij në të cilën po kalon te Prishtina.

“Kam formë të mirë momentale, shpresoj të vazhdoj njëjtë, por më shumë besoj që duhet gjithsecili së pari t’i ndihmoj ekipit edhe më shumë”, ka thënë mesfushori Endrit Krasniqi i cili në tre ndeshjet e fundit ka shënuar dy gola dhe ka regjistruar një asistim.