‘Arpagjikt’ e Prizrenit kontestojnë kryetarin e ri të KB Bashkimi - VIDEO

Kryetari i ri i njërit prej klubeve më të njohura të Basketbollit në Kosovë, KB Bashkimi, nuk po e ka edhe mbështetjen të kryesisë së tifozëve të qytetit “Arpagjikt”.

Në një Kuvend, me kundërshtime të tifozëve “Arpagjikt”, pa asnjë kundërkandidat, Tyrhan Kosova u zgjodh kryetar i klubi KB Bashkimi.

Tyrhan Kosova, të martën me 14 qershor mori votat e mjaftueshme që për katër vitet e ardhshme të udhëheqë klubin e basketbollit ‘Bashkimi’ në Prizren.

Në Kuvendin zgjedhor i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, Shaqir Totaj, që në të kaluarën ka udhëhequr me këtë klub. Ndaj tij, tifozët “Arpagjikt” patën kritike, duke e akuzuar politizimin e klubit.

Por Totaj e mohon një gjë të tillë.

“Tifozët, arpaxhikët janë një element shumë i rëndësishëm i klubit, janë ata që e krijojnë atmosferën, e begatojnë klubin, edhe kanë të drejtën me e shpreh mendimin e tyre. Mirëpo unë jam i sigurtë që puna e Tyranit, do të tregojë edhe rezultatet e klubit të basketbollit Bashkimi dhe do të tregojë që sot ne e kemi bërë një zgjidhje të mirë”, ka thënë Totaj.

Në anën tjetër, nga grupi i tifozëve “Arpagjikt”, thonë se e kanë ditur që 3 muaj se kush do të jetë në krye të klubit për 4 vitet e ardhshme.

“I cili e patë edhe ju që nuk pat kandidat tjetër, e patë edhe vetë qysh shkojë procedura. Krejt u dukë si në rregullt, por që 3 muaj është ditë kush ka me ardh kryetar, edhe u shty edhe puna e bordit, e patë edhe vetë që nuk u përcaktu sot se u ditën 4-5 emra kush kanë me qenë, qikjo është pse e kemi kundërshtu”, ka thënë kryetari tifogrupit, Muhamed Bytyqi.

Ndonëse pati kundërshtime nga tifozët, për procesin se si erdhi në krye të klubit, kryetari i porsa zgjedhur Tyrhan Kosova thotë se do të bashkëpunojë me tifozët.

“Unë mendoj që kjo nuk ka shije të politizimit. Unë vi nga shoqëria civile, me një profesion që nuk ka lidhje me politikë. Sa i përket tifozëve, do të jap maksimumin tim që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejtë”, tha ai.

Në sezonin 2021 – 2022 KB Bashkimi përfundoi në vendin e 6-të të ‘Art Motion’ Superligës së Kosovës në basketboll.

Klubi nga Prizreni shpreson se me zgjedhjen e menaxhmentit të ri, të lajnë borxhet dhe të luftojnë për trofe në sezonin e ardhshëm.