Tre raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Tre raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Sipas raportit 24-orësh policor, rastet raportohet të kenë ndodhur në Kllokot, Malishevë dhe Vushtrri.

Në këto raste janë arrestuar tre të dyshuar.

Në Kllokot, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Sipas raportit policor, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Malishevë, forcat e rendit kanë arrestuar një person i cili dyshohet se pas një fjalosje me babanë e tij, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht këtë të fundit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Policia thotë se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës po ashtu është raportuar të ketë ndodhur në Vushtrri, ku Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje, ka ushtruar dhunë verbale ndaj bashkëshortes së tij.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.