Zyrtarizohet Kandidatura e Hashim Thaçit për President

Kur Presidentes Atifete Jahjaga i kanë mbetur më pak se tre muaj deri në përfundim të mandatit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka ndarë mendjen që kryetarin e deritanishëm të partisë ta promovojë në karrigen e kreut të shtetit.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, tha sot për KALLXO.com se kjo parti tashmë ka vendosur për ta propozuar Thaçin për President të shtetit.

Në dy ditët e fundit, kryesia e PDK-së ka mbajtur mbledhje për të diskutuar për çështjet në agjendën politike të Kosovës.

Nga këto mbledhje ka dalë edhe kandidatura për President të Kosovës.

Musmurati është i bindur se prilli do ta gjejë Kosovën me President të ri ndërsa shprehet se partia nuk ka diskutuar ende për zëvendësuesin e Thaçit në parti.

“Ne nga mbrëmë e kemi bërë publike edhe kandidaturën për president të vendit të zotit Hashim Thaçi dhe kjo do të ndodhë. Jo vetëm kandidimi por do të ndodh edhe zgjedhja… Sa u përket votave sigurisht që nuk do të ketë kurrfarë problemi. Ndërkaq, kush do të jetë pasues i tij, kjo është e rregulluar me statut. Do të mbahen zgjedhjet, një konventë dhe në konventë do të kandidohen njerëzit të cilët janë të interesuar”, tha Musmurati.

Sipas tij, PDK-ja, prioritet e ka çështjen e presidentit dhe pas kësaj pritet të vendoset për pozitën e të parit të PDK-së.

Dhe deri sa nuk do të mbahet konventa, sipas statutit të PDK-së, në mungesë të kryetarit atë e zëvendëson Zëvendës Kryetari.

Pozitën e Zëvendës Kryetarit në parti e mban Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Me zgjedhjen e tij eventuale për President, Thaçi do t’i lë të zbrazta edhe dy vende tjera të punës, atë të Zëvendës Kryeministrit të parë dhe atë të Ministrit të jashtëm.

Musmurati thotë se ende nuk janë caktuar emrat për këto pozita.

Ai ka thënë se në mbledhje të kryesisë janë diskutuar me çështjet aktuale në vend, përfshirë edhe krizën politike e cila ka mberëruar në Kuvendin e Kosovës përgjatë tërë sesionit vjeshtor.

Sipas Musmuratit, PDK e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe “kjo çështje do të duhet të sqarohet”.

“Do të duhej mu sqaru edhe pak më shumë  nga ana e subjekteve politike por veçmas nga ana e qeverisë dhe institucionalistëve juridikë”, theksoi Musmurati.

Por për të dalë nga kjo krizë, Musmurati tha se secili subjekt politik duhet t’i respektojë institucionet dhe Kushtetutën e vendit.

“Ne kërkojmë që gjithkush veçmas subjektet politike që janë të respektojnë institucionet dhe Kushtetutën e vendit. Dhe ata të cilët i respektojnë këto kanë mundësi të shtrojnë problematikën në institucion në këtë rast në Kuvendin e Kosovës”, tha Musmurati.

Thaçi e ka drejtuar PDK-në që nga themelimi i saj në tetor të vitit 1999.

Në fillim, ky subjekt i formuar nga ish drejtuesit e UÇK-së mbante emrin Partia e Progresitdemokratik të Kosovës, ndërsa Kuvendi i partisë i mbajtur në vitin 2000 vendosi që t’ia ndërrojë emrin në Partia Demokratike e Kosovës.

Musmurati thotë se PDK-në nuk do ta ndjekë sindromi i LDK-së e cila përjetoi çarje të mëdha në parti në vitin 2006, atëherë kur iu desh ta ndërrojë liderin.

“Këtë film në PDK nuk do ta shihni sigurisht sepse është një subjekt më i madhi në Kosovë, më i organizuari, është më i suksesshmi”, tha ai.