Glauk Konjufca - Foto: KALLXO.com

VV: Shqetësuese prezenca e madhe e produkteve të Serbisë në panair

Nënkryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku kanë thënë se ka prezencë të lartë të produkteve të Serbisë në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”.

Këto deklarata nënkryetarët e subjektit opozitar i dhanë në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës.

Konjufca tha se prezenca e madhe është shqetësuese.

“Ajo për çka ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi shumë të shqetësuar ka të bëjë me favorizimin e jashtëzakonshëm të produkteve të Serbisë në këtë panair”, tha ai.

Konjufca tha se prezenca e kompanive nga Shqipëria është e ulët.

“Nga 174 biznese të cilat marrin pjesë në panairin e sotëm 70 janë nga Serbia dhe vetëm një është, mesa kam informata unë, nga Republika e Shqipërisë”, tha ai.

Po ashtu, nënkryetari i VV tha se masat tregtare kundër mallrave të Republikës së Serbisë kanë qenë të ulëta.

“Sipas vlerësimit të ekspertëve Kosova importon mbi gjysmë miliardi euro mallra nga Serbia. 19 vjet pas çlirimit të Kosovës produktet e Serbisë në mënyrë shtetërore janë bojkotuar vetëm 45 ditë”, tha Konjufca.

Ai deklaroi se nuk duhet favorizuar bizneset e Serbisë.

“Të favorizosh biznese të Serbisë të cilat i paguajnë shtetit serb, i cili atë buxhet pastaj e orienton kundër Republikës së Kosovës kjo do të thotë se edhe qeveria jonë është bërë bashkëpjesëmarrëse në këtë shkatërrim të brendshëm të shtetit tonë”, shtoi ai.

Ndërsa, ngjashëm u shpreh Fatmire Kollçaku e cila deklaroi se mungon reciprociteti në raport me Serbinë.

“Pa kurrfarë reciprociteti ne në këtë rast i favorizojmë bizneset e Serbisë, përderisa kemi edhe reagimin e ambasadorit të Shqipërisë i cili thotë se Oda Ekonomike e Kosovës nuk i ka lajmëruar me kohë bizneset nga Shqipëria për pjesëmarrje. Prandaj kemi një pjesëmarrje pothuajse simbolike të bizneseve të Shqipërisë”, tha Kollçaku.

Ajo shtoi se Kosova duhet të sillet me Serbinë ashtu siç sillet Serbia me Kosovën.

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018” u hap sot në Shkabaj të Prishtinës.