Nesër nis edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Tiranë

Me moton “Libri na bashkon të gjithëve” nis nesër në Pallatin e Kongreseve edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Tiranë.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila organizon këtë panair, ka bërë të ditur se mbi 90 botues shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Shqipëria do të ekspozojnë botimet e tyre, sidomos ato të botuara gjatë 2023.

Përveç ekspozimit të librit, gjatë këtij panairi do të mbahen edhe prezantime e takime me autorë, veçmas shkrimtarë të huaj të ftuar, promovime të librash, konferenca, sofaja e librit dhe aktivitete të shumta për dhe rreth librit.

Ndërsa nga shkrimtarë e huaj të ftuar, sipas njoftimit të panairi, do të prezantohet edhe ish- futbollisti i njohur francez, Lilian Turam (Lilian Thuram), i cili prezantohet si shkrimtar.

Një vëmendje gjatë këtij panairi do t’ i kushtohet edhe zhvillimit të letërsisë për fëmijë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se edhe këtë viti do të ndahen çmimet e panairit.

Panairi i Librit në Tiranë do të zgjas deri më 19 nëntor 2023.