Stenda e SHK-së në PLF. Foto: SHBK.

Nis sot edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt, pjesë e tij edhe botuesit nga Kosova

Me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën” hapet sot edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt të Gjermanisë, pjesë e të cilit janë edhe botuesit kosovarë.

Edicioni i 75-të i këtij panairi do të fokusohet në agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Hamasit në Izrael, duke artikuluar problemin e dhunës dhe agresioneve aktuale.

E ftuar nderi e këtij panairi këtë edicion është Sllovenia.

Stenda e SHK-së në PLF. Foto: SHBK.

Pjesë e edicionit të 75-të Panarit të Librit në Frankfurt janë edhe botuesit nga Kosova, të cilët do të prezantojnë botimet më të reja të tyre. Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se Kosova është e pranishme në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj.

SHBK thotë se janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Skanderbeg Books”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

“Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’ rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore”-  thuhet në njoftimin e SHBK-së.

Sipas SHBK-së të shtunën, në kuadër të këtij panairi do të ketë aktivitetin gjithëditor, ku do të shënohen përvjetorët e Ernest Koliqit, Petro Markos, Jakov Xoxës e Teki Dërvishit.

“Promovohen autorët Ag Apolloni, Rita Petro, Loreta Schillok, Sadije Aliti, Mechthild Henneke dhe Jetlira Avdijaj, prezentë në Panairin e Librit në Frankfurt edhe fizikisht, me ç’rast takohen me lexuesit dhe të interesuarit, koordinuar nga Seveme Fetiqi e Bekim Gashi”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, të dielën, po sipas SHBK-së stenda e Kosovës do të shërbejë si pikëtakim për Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt dhe takimet mes autorëve e lexuesve.

Stenda e SHK-së në PLF. Foto: SHBK.

Do të jenë mbi 7,500 ekspozues me mbi 285,000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që do të marrin pjesë në edicionin e 75-të në Panairin e Librit në Frankfurt. Tradicionalisht, i pranishëm në këtë panair është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt mbyllet më 22 tetor 2023.