Electric Mobility LLC merr pjesë në panairin IAA Mobility 2023, në Mynih të Gjermanisë

Electric Mobility LLC, startup-i kosovar, ka marrë pjesë në panairin prestigjioz IAA Mobility 2023 në Mynih, Gjermani.

Sipas një komunikate për media, debutimi i kompanisë si ekspozuesi i parë nga Ballkani Perëndimor shënon një moment historik jo vetëm për Electric Mobility LLC por për të gjithë rajonin, duke e pozicionuar Kosovën si një akter në tranzicionin e gjelbër global.

IAA Mobility, i njohur si një nga panairet më të rëndësishëm të botës për mobilitet, ofron një platformë për mendjet më të ndritura dhe inovacionet më të guximshme në fushën e automobilizmit dhe mobilitetit.

Prania e Electric Mobility LLC në këtë ngjarje të shquar, sipas njoftimit është një dëshmi e shpirtit inovativ që mbizotëron në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Nën ombrellën e Electric Mobility LLC, tre marka të ndryshme, ETAXI, ECHARGE dhe ETROTY, do të jenë në qendër të vëmendjes. Këto marka paraqesin angazhimin e kompanisë për të ofruar zgjidhje dhe shërbime të mençura të mobilitetit elektrik që ripërcaktojnë të ardhmen e transportit në Kosovë dhe më tej”- thuhet në kumtesë.

Fidan Hallaqi, themelues dhe drejtor i Electric Mobility LLC, ka thënë se pjesëmarrja në këtë panair është dëshmi e udhëtimit të jashtëzakonshëm dhe punës së palodhur të ekipit të tij.

“Pjesëmarrja jonë në IAA Mobility 2023 është një dëshmi e udhëtimit të jashtëzakonshëm dhe punës së palodhur të ekipit tonë. Ne besojmë se mobiliteti elektrik është e ardhmja, jo vetëm për Kosovën por për mbarë botën. Të qenit i pari nga Ballkani Perëndimor që shfaq zgjidhjet tona në IAA është një moment krenarie për ne”- është shprehur ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se arritja e Electric Mobility LLC, me markat e saj është një burim krenarie e pamasë për kryeqytetin dhe gjithë rajonin.

“Arritja e Electric Mobility LLC, me markat e saj ETAXI, ECHARGE dhe ETROTY prezente sot, është një burim krenarie e pamasë për Prishtinën dhe gjithë rajonin. Kjo pasqyron shpirtin inovativ të qytetit tonë dhe përkushtimin tonë për zhvillim të qëndrueshëm. Jam mëse i lumtur që vizioni ynë për ristrukturimin e mobilitetit në Kryeqytet po merrë formë përmes iniciativave të suksesshme të sektorit privat siç e kemi rastin sot”- ka deklaruar Rama.

Kurse shef i stafit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi, shtoi se prezantimi i kësaj kompanie në këtë panair dëshmon vendosmërinë e Kosovës për të qenë pjesë e tranzicionit global drejt transportit të qëndrueshëm.

“Prezantimi i kompanisë kosovare Electric Mobility LLC në panairin e mirënjohur ndërkombëtar IAA Mobility 2023 në Mynhen dëshmon vendosmërinë e Kosovës për të qenë pjesë e tranzicionit global drejt transportit të qëndrueshëm. Ne përgëzojmë përpjekjet e tyre dhe e shohim këtë si një model i suksesshëm që tregon përkushtimin tonë për një të ardhme të gjelbër”- ka theksuar Dalipi.

Pjesëmarrja e Electric Mobility LLC në IAA Mobility 2023 është një moment historik jo vetëm për kompaninë, por për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kjo përfaqëson potencialin e rajonit për të kontribuar në tranzicionin e gjelbër në mbarë botën dhe shfaqë një model të suksesshëm që mund të frymëzojë dhe nxisë ndryshime pozitive në shkallë globale.