Foto: Facebook

VV: Numër Alarmant i Punëtorëve të Vdekur në Vendin e Punës

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një aktivitet simbolik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Përmes këtij aktiviteti Vetëvendosje ka thënë se kanë pasqyruar kushtet në të cilët punojnë punëtorët në Kosovë dhe problemet e tyre, me theks të veçantë vdekjet e punëtorëve në vendin e punës.

Zyrtari i VV-së, Driton Çaushi, e ka quajtur alarmant numrin e punëtorëve që vdesin në vendin e punës. Ai ka thënë se kjo situatë është për shkak se institucionet nuk ndërmarrin asnjë masë lidhur me këtë çështje.

“Vetëm në këtë vit, në katër muajt e parë të vitit 2017, në vendin e punës kanë vdekur 6 punëtorë. Këto vdekje nuk guxojnë të trajtohen si aksidentale”, tha Çaushi, duke shtuar se në shumicën e rasteve nuk ka as shpagim as kompensim.

Gjatë vitit të kaluar, sipas Inspektoratit të Punës, pesë persona kanë humbur jetën në vendin e punës, në ndërtimtari, në krahasim me vitin 2015, kur qenë regjistruar 9 raste të tilla tragjike.

http://kallxo.com/5-persona-vdiqen-ne-vendin-e-punes-2016/

Po ashtu, Driton Çaushi tha se në sektorin privat punëtorët shfrytëzohen vetëm si mjet për rritjen e fitimit të kompanive private se nuk ekziston për ta ligj pune as kontratë kolektive e as të drejta elementare njerëzore.

“Të jesh punëtor sot sidomos në sektorin privat pa kontratë pune do të thotë të punosh si punëtor krahu dhe të lësh gjymtyrët dhe jetën në vendin e punës, të jesh punëtor sigurimi të punosh për 150 euro deri në rraskapitje në vendin e punës, të jesh shitëse pa ditë pushimi dhe me orar të tejzgjatur për një pagë me të cilin mezi siguron ushqimin për familjen…”, tha zyrtari i Vetëvendosjes, duke shtuar se këto gjëra nuk trajtohen në mënyrën si duhet.

“Sot shteti është në shërbim të kompanive dhe përfitimit të tyre”, tha ai, duke shtuar se nevojitet një organizim i fortë politik, sindikal dhe shoqëror, në mënyrë që kjo situatë të ndryshohet.

Ndryshe, në shumë vende të botës në mënyra të ndryshme sot shënohet 1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

http://kallxo.com/cila-eshte-historia-e-festes-se-1-majit/