Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti/ Foto: ZKM

Kurti uron 1 Majin, ditën e punëtorëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar ditën e punëtorëve, 1 Majin.

Urimin e tij, shefi i ekzekutivit e ka nisur me historikun se si erdhi deri tek shënimi i kësaj dite, e e ka vazhduar me punën që është bërë gjatë qeverisjes së tij, punët të cilat ai ka thënë prekin jetën e punëtorëve.

“’8 orë punë, 8 orë argëtim dhe 8 orë pushim’” ishte slogani i kërkesës në kundërshtim të eksploatimit të punëtorëve që për herë të parë u bë publikisht në Australi më 1885. Një vit më vonë në po këto kërkesa kujtojmë rezistencën e njohur të punëtorëve në Çikago” – tha Kurti.

Ai shtoi se sot e asaj dite, më 1 Maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, jo vetëm duke i kujtuar ata, por edhe duke u angazhuar për barazi, të drejta dhe kushte më të mira të punës e jetesës.

Sipas Kurtit, si qeverisje e re kanë ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve.

“Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë” – është një nga vendimet që përmendi kryeministri në postimin e tij.

Tutje ai tha se me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës, kanë ndarë buxhet për të shtuar numrin e inspektorëve në terren dhe se në buxhetin e këtij viti kanë paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm.

“Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi)” – shtoi Kurti.

Tutje, sipas kryeministrit janë rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria është mbështetur rritja e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat.

“Punësimi ka qenë njëri prej prioriteve tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve” – vazhdoi tutje kryeministri.

Sipas tij, Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia edhe nga shkelja e të drejtave në punë.

“Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë” – tha tutje Kurti.

Në anën tjetër, gjatë ditës në kryeqytet u mbajtë një protestë nga punëtorët e sektorit privat.

Pagë minimale 450 euro, implementim të ligjeve në fuqi, nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim i barabartë i sektorit publik, rritja e numrit të inspektorëve të punës, fond për punëtorët që humbin jetën dhe lëndohen në vendin e punës janë disa nga kërkesat që Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat po kërkon nga Qeveria që të plotësohen.

Nëse kërkesat nuk plotësohen, punëtorët gjatë protestës së sotme, paralajmëruan se do të largohen nga vendi.

Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi ka thënë se me rastin e 1 majit ka dashur që të festojë, mirëpo sipas tij Qeveria dhe pronarët e kompanive nuk po e lejojnë një gjë të tillë.

Punëtorët e sektorit privat paralajmërojnë ikje nga vendi nëse nuk u plotësohen kërkesat