Nëntë të Vdekur në Vendin e Punës në 2015-ën

Këto të dhëna u bënë publike sot në konferencën për Ditën Ndërkombëtare të të Vdekurve në Vendin e tyre të Punës, të organizuar nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës.

Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) tha se siguria në punë është shumë e rëndësishme për ministrinë që drejton.

“Për ne si institucion çështja e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës është me rendësi vitale, sepse fillimisht bëhet fjalë për çështje më themelore siç është jeta e njeriut dhe shëndeti i tij. Ministria është fuqishëm e angazhuar që të krijojë një infrastrukturë të duhur ligjore për ngritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë duke i harmonizuar ligjet tona me ato të BE-së,” tha ministri Abrashi.

Ai po ashtu shtoi se MPMS-ja është duke u sfiduar me numrin e vogël të inspektorëve, pasi që janë vetëm 50 deri 60 inspektorë të cilët e mbikëqyrin punën e mbi 80 mijë bizneseve në vend.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Kosovë, Basri Ibrahimi, tha se në Kosovë mungon opinioni se në vendin e punës duhet të merresh me sigurinë dhe shëndetin.

“Në Kosovë ende është tabu të merresh me sigurinë dhe shëndetin në punë. Siguria dhe shëndeti në vendin e punës ka më shumë rëndësi sesa kontrata e punëtorit dhe Ligji i Punës,” tha Ibrahimi.

Ndërsa, Agim Millaku, zëvendëskryeinspektori për Shëndet dhe Siguri në Punë tha se numri i aksidenteve në vendin e punës në Kosovë po pëson rënie çdo vit, si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e vendit të punës.

Në Kosovë, në vitin 2013 kanë vdekur 17 punëtor në vendin e tyre të punës dhe janë lënduar 37, kurse në vitin 2014 kanë vdekur 9 punëtor dhe janë lënduar 63 nga aksidentet nga vendet e punës.

Gjatë një inspektimi të bizneseve nga MPMS-ja vitin e kaluar janë gjetur 2,035 punëtorë pa kontrata pune.

Si konkluzione të arritura në fund të këtij takimi ishte edhe nevoja e menjëhershme për të  ndërmarrë hapat e parë në përcaktimin dhe hartimin e listës së sëmundjeve profesionale si  dhe formimin sa më të shpejtë të një këshilli kombëtar mbi shëndetin në punë.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës në çdo 15 sekonda në botë humb jetën një punëtor në vendin e tij të punës, ku çdo vit vdesin 2.3 milionë punëtorë, ndërsa 317 milionë punëtorë pësojnë aksidente nga pasiguria në vendin e tyre të punës.