VV kundër privatizimit të Telekomit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare, Fatban Bunjaku, u takuan me Kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, me anëtarët e Kryesisë, Shpëtim Zharku dhe Naim Haliti për të diskutuar rreth vendimit të qeverisë për nisjen e procesit të privatizimit, moszbatimin prej 6 muajsh të rezolutës së Kuvendit dhe situatës së punëtorëve.

Sipas një njoftimi të LVV-së në takim është thënë se qeveria nuk ka pasur as interesimin dhe as vullnetin për ta zgjidhur krizën e sajuar brenda Telekomit.

“Kontrata abuzive me Z-mobile, keqmenaxhimi dhe shfrytëzimi brutal i kapaciteteve të ndërmarrjes për interesa krejtësisht private duhen zgjidhur nga institucionet e Kosovës. Për këtë nuk duhet të ketë kompromis. Përfshirja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerësimin e gjendjes së ndërmarrjes me kusht nisjen e procesit të privatizimit për Telekomin është i papranueshëm”, thuhet në komunikatë.

Sipas LVV-së, mbi punësimet partiake në Telekom nuk i shkaktuan punëtoret profesionistë por segmente të partive të pushtetit.

“Sindikalistët na njoftuan se nga viti 2008, Telekomi i ka paguar qeverisë 530 milionë euro dividentë. Investime strategjike nuk bëhen, lidhen kontrata abuzive, paguhen shpenzime marramendëse, punësohen persona me lista, kurse, në funksionin e auditit të brendshëm vendosen familjarë të pushtetarëve. Prokurorisë i janë kallxuar dhjetëra kontrata abuzive, por nuk ka përgjigje nga ana e tyre. Drejtori i parafundit i Telekomit e gjeti këtë ndërmarrje me rëndësi ekonomike e strategjike me 48 milionë euro në thesar, dhe e la me 200-300 mijë euro dhe me borxhe të panumërta që paraqiten me procedura përmbarimi. Sindikalistët shtuan që edhe sot në Telekom ka gra e burra të shkëlqyer e të zotë në profesionet e tyre një pjesë e të cilëve prej rrethanave po zgjedhin largimin nga vendi”, thuhet në komunikatë.

Me 31 janar 2019 në Gjykatën Themelore të Prishtinës sipas LVV-së mbahet seanca ku do të tentojnë ta ekzekutojnë gjobën që ia zhvat Telekomit 30 milionë euro.

LVV shprehet e gatshme dhe e vendosur që Telekomin ta mbështesin të rimëkëmbet me modele bashkëkohore, jo privatizuese.