Vushtrria binjakëzohet me qytetin Norwalk në SHBA (VIDEO)

Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar marrëveshje binjakëzimi me qytetin Norwalk të shtetit Iowa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një ceremoni të organizuar nga kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri u pritën zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ndërkombëtarë nga qyteti tanimë binjak i Vushtrrisë.

Tahiri tha se shpreson në përfitime për qytetarët nga kjo marrëveshje dhe u uroi të huajve mirëseardhje në çfarëdo kohe në qytetin e Vushtrrisë.

“Sot është një ditë e veçantë për qytetarët e Vushtrrisë. Sot jam i lumtur të them se për ju dhe për qytetarët tuaj Vushtrria është shtëpia juaj e dytë. Jam shumë i nderuar që sot do të bëjmë ketë ceremoni dhe këtë marrëveshje nga e cila shpresoj shumë që do të përfitojnë dhe do të ndihmojë qytetarët dhe nxënësit e Vushtrrisë”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, kryetari i qytetit Norwalk, Tom Philips po ashtu tha se shpreson që ky binjakëzim do të ndikojë në rritjen ekonomike.

“Ne jemi motra e dytë për qytetin e Vushtrrisë. Jemi shumë të nderuar që na keni mirëpritur në qytetin tuaj në këtë mbrëmje historike për zyrtarizimin e binjakëzimit të dy qyteteve tona. Kemi punuar për dy vite për këtë binjakëzim. Besoj që dy qytetet tona do të kenë më shumë gjera të përbashkëta sa i përket rritjes ekonomike, avancime infrastrukturore dhe qeverisjes”, tha Philips.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili çmoi miqësinë e Kosovës me SHBA-në.

“Miqësia në mes Kosovës dhe SHBA ka qenë shumë e rëndësishme në gjendje shumë kritike për ne, dhe të gjithë në vendin tonë janë krenarë dhe të lumtur me këtë miqësi”, tha Haradinaj.

KALLXO.com transmetoi LIVE ceremoninë e binjakëzimit: