Vuçiq Nesër në Mëngjes në Kosovë

Hoti tha për KALLXO.com se Vuçiq ka marrë leje për vizitën.

‘Po, patjetër që ka marrë leje prej Qeverisë së Kosovës, është bërë kërkesë mbas kanaleve zyrtare dhe Qeveria e Kosovës ka autorizuar ardhjen e tij në Kosovë,” Tha Hoti.

Ai bëri të ditur se policia e Kosovës do t’i ofrojë siguri Vuçiqit dhe delegacionit serb nga ora 7 e mëngjesit të së dielës.

“Prej orës 7:00 në mëngjes është paraparë ai me u fut në Kosovë prej pikës kufitare ku vjen, prej aty mbahen masat e sigurisë deri në fund të vizitës së tij,” tha Hoti.

Ai tha se policia ka bërë të gjitha përgatitjet për vizitën e nesërme.

“Patjetër janë bërë përgatitjet të gjitha, janë marrë të gjitha masat e sigurisë të cilat do të ndërmerren për sigurimin e prezencës së Kryeministrit serb në Kosovë. Do të ketë siguri simbas agjendës së Kryeministrit Vuçiq në Qeverinë e Kosovës,” tha Hoti.

Në anën tjetër zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani foli përgjithësisht për detyrat e policisë në raste të vizitave të niveleve të ndryshme të delegacioneve në Kosovë.

“Nuk është kompetencë e Policisë së Kosovës dhënia e lejeve të delegacioneve që hyjnë në Kosovë. Policia e Kosovës varësisht prej rrezikshmërisë dhe nivelit të delegacioneve bën përcjelljen e tyre, kuptohet ata që hyjnë në Republikën e Kosovës me leje të autoriteteve të Republikës së Kosovës,” tha Kelani.

Vizitën e nesërme të Vuçiqit në Kosovë e ka konfirmuar në bazë të shkrimeve të medieve serbe edhe Zyra për Bashkëpunim me Medie e Qeverisë së Serbisë.