Votohet Rezoluta ‘e Butë‘ për Nehat Thaçin

Në Kuvendin e Kosovës është miratuar rezoluta e propozuar nga koalicioni qeveritar, të cilën e ka lexuar deputeti Armend Zemaj.

Rezoluta e koalicionit PDK-LDK-6+, u plotësua edhe me një pikë tjetër, të cilën e propozoi deputeti Sabri Hamiti: “Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të z. Nehat Thaçi”.

Pra, Kuvendi miratoi rezolutën me gjashtë pika. Për këtë rezolutë votuan 71 deputetë: 51 për, 13 kundër dhe 8 abstenime.

Gjashtë pikat e rezolutës së koalicionit janë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të z. Nehat Thaçi.
  2. BE-ja si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes mekanizmave të saj detyrues të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë që të lirohet Nehat Thaçi.
  3. Çdo komunikim për rastin e arrestimit të z. Nehat Thaçi deri në lirimin e tij të bëhet vetëm përmes zyrës së Mogherinit si përfaqëesuese e lartë e BE-së.
  4. Qeveria e Republikës së Kosovës t’i bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës po i rrezikojnë thellë marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe dialogun mes dy vendeve duke na detyruar në reciprocitet.
  5. Misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e z. Thaçi, njëherit kërkojmë angazhim të drejtpërdrejtë të tij si mision me kompetenca të veçanta.

6. Kërkojmë nga interpoli që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, njëherit insistojmë që fletarrestet politike të largohen nga sistemi i tyre ligjor.

Ndërsa, rezoluta e propozuesit, Gëzim Kelmendi, e harmonizuar me opozitën, nuk i mori votat e mjaftueshme. Nga 75 deputetë sa ishin në sallë, 19 ishin për, 38 kundër dhe 18 abstenuan.