Vlora Çitaku e Tomislav Nikoliq Përplasen në Selinë e OKB-së

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, tha sot në Nju Jork se Serbia nuk po i ndal provokimet ndaj Kosovës ndërsa apeloi që fqinji verior i Kosovës “t’u japë fund këtyre lojërave”.

Në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Çitaku u shpreh se Kosova nuk do të lejojë që Serbia ta mbajë Kosovën peng të së kaluarës.

“Mësimet e Kosovës janë të thjeshta: mund të fitosh nëse ke të drejtë, edhe nëse nuk je i fortë”, tha Çitaku duke rikujtuar që javën e kaluar Kosova festoi nëntëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Ajo akuzoi Serbinë se ka dështuar të merret me të kaluarën e vet dhe në këtë rast përmendi raportin e Qendrës për të Drejtën Humanitare të ditëve të fundit.

“UÇK nuk është dhe nuk ka qenë organizatë terroriste. Ajo ka qenë lëvizja më e suksesshme çlirimtare në historinë e kohëve të fundit. Ato me të cilat përballemi me Serbinë janë provokime të përditshme”, tha ajo.

Çitaku në fjalimin e saj kritikoi raportin tremujor të UNMIK-ut për OKB-në duke thënë se në të nuk po tregohet realiteti ashtu siç është në të vërtetë”

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, u ankua për disa incidente të cilat ai i cilësoi me motive ndëretnike si dhe numrin e vogël të serbëve të kthyer në Kosovë.

“Infrastruktura ligjore dhe administrative për komunitetet joshqiptare nuk po zbatohet prandaj këto komunitete hasin në vështirësi dhe i nënshtrohen dhunës fizike e psikike”, tha Nikoliq.

Ai tha se Serbia është “e përkushtuar në vazhdimin e dialogut me Beogradit dhe Prishtinës”.

Ai përsëriti qëndrimin e Serbisë ndaj statusit të Kosovës.

“Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk do të njihet kurrë nga Serbia, çfarëdo që mund të na ofrohet në kthim… Serbia është e gatshme për marrëveshje, por jo për shantazh, është e gatshme për autonomi substanciale por jo për pavarësi të Kosovës”, tha Nikoliq.

Por të gjitha ato për të cilat u ankua Nikoliq, Vlora Çitaku i mohoi.

Ajo iu referua vendimit të vitit 2010 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se “shtetet ekzistojnë për popullatën e tyre”.

“Vetëm pse Serbia refuzon të na njohë si shtet, kjo nuk na bën më pak shtet”, tha Çitaku.

Ajo tha se Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë në bazë të një fletarresti serb “nuk është drejtësi por është përndjekje”.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë (PSSP), Zahir Tanin, tha se vazhdimi i dialogut në nivelin më të lartë në mes të Beogradit dhe Prishtinës është “hap thelbësor” në përpjekjet e përtërira për të ndërtuar besimin dhe mirëbesimin. Në raportimin e tij të rregullt për Kosovën, PSSP Tanin përshëndeti diskutimet rreth implementimit të Asociacionit/Bashkësisë të komunave me shumicë serbe të ardhshme, pikë kyçe e marrëveshjes së prillit 2013.

“Dialogu nuk ka alternativë,” theksoi PSSP Tanin.

Duke theksuar rëndësinë e lartë që politikat elektorale të mos pengojnë proceset vitale dhe progresin, PSSP Tanin nënvizoi se normalizimi i raporteve, pajtimi dhe drejtësia tejkalojnë objektivat afatshkurta politike – dhe duhet t’ju shërbejnë qëllimit të “përmirësimit të jetës së njerëzve.” Duke theksuar se “lidershipi i guximshëm dhe veprimet pozitive janë të rëndësishme për promovimin e ndryshimit të qasjeve,” PSSP Tanin shprehu mirënjohje për hapat e ndërmarrë nga disa liderë dhe inkurajoi përpjekje më të qëndrueshme për të tejkaluar të kaluarën, dhe për t’u fokusuar në të ardhmen.

I vetëdijshëm se puna në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në Kosovë duhet të vazhdojë, PSSP Tanin nënvizoi se “adresimi i papunësisë, progresi në sundimin e ligjit, dhe luftimi i korrupsionit mbeten kyçe për të gjithë njerëzit në Kosovë.”

Duke njohur kërcënimin nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi në Kosovë dhe përgjatë rajonit, PSSP Tanin përshëndeti qasjen holistike të autoriteteve të Kosovës, e cila me të drejtë përfshin komponentë arsimorë dhe zhvillimorë.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, përkushtimi drejt një të ardhme të përbashkët përbrenda hapësirës së unifikuar të Evropës, zotimi ndaj të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, dhe zgjidhja e kontesteve përmes mjeteve paqësore të dialogut dhe kompromisit janë thelbësore për Kosovën siç janë edhe për tërë rajonin,” nënvizoi Tanin.