Osmani në OKB e fton Vuçiqin t’u kërkojë falje të mbijetuarave të luftës që ishin të ulura prapa saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj përmbyllës në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 22.04.2024, e ka ftuar presidentin e serb, Aleksandar Vuçiq, t’u kërkojë falje të mbijetuarave të luftës që po qëndronin ulur prapa saj: Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sulimani, Fahrije Hoti dhe Elhame Muqolli.

“Viktimat e atij regjimi zotëri Vuçiq, po qëndrojnë mu këtu, ndaje një moment dhe kërkoju falje atyre! Tregoju të gjithëve nëse ke sadopak ndjenjë njerëzore brenda teje”- ka deklaruar Osmani.

Osmani tha se sot nuk ka folur për të kaluarën por për Kosovën e sotme duke teksuar se dhimbjet e së kaluarës e kanë formuar Kosovën e sotme.

“Siç u akuzova nga Serbia dhe Rusia, unë nuk kam folur për të kaluarën, kam folur për Kosovën e sotme, por Kosova e sotme është formuar nga dhimjet e së kaluarës për shkak të një arsye të thjeshtë, për shkak të mungesës së drejtësisë. Të gjithë e dimë dhe kemi mësuar nga historia që paqja kërkon ballafaqim me të kaluarën dhe në këtë kuptim, në vend të propagandës, Vuçiq sot duhet të na tregonte nëse ai ndjen keqardhje që i përket një regjimi që ka shkaktuar më shumë se 150 mijë vrasje të civilëve, apo nëse ai ndjen keqardhje  nga karriera e tij në vitet e ’90-ta, apo nëse ndjen keqardhje për thirrje për gjenocid në Serbrenicë nga Parlamenti i tij, nëse ai ndjen keqardhje për glorifikimin e Millosheviqit vetëm një vit përpara duke e quajtur atë “Njeri i mirë, me qëllime të mira”, apo nëse ai ndjen keqardhje për faktin se ai i përket dhe i ka shërbyer me shumë besnikëri atij regjimi”- është shprehur presidentja.

Ndërkaq, Vuçiq në fjalën e tij përmbyllëse tha se shumë përfaqësues në seancën e sotme kanë folur për çështjen e sulmit në Banjskë, duke pretenduar se askush nuk foli “për plagosjen e shtatë serbëve”.

Ai ka folur edhe për çështjen e votimit në veri më 21.04.2024.

“Sa i përket procesit të zgjedhjeve që ambasadori britanik foli, besoj se ju të gjithë bëheni kinse nuk e dini se çfarë ka ndodhur dhe përse serbët morën këtë vendim. Do jua rikujtoj disa prej juve se isha ftuar nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz për të diskutuar për çështjen e zgjedhjeve, pas atij procesi të zgjedhjeve demokratike dhe të jashtëzakonshme me një pjesëmarrje prej 3.4 në veri të Kosovës”- tha ai.

“Ata më thanë se ata njerëz do të dorëhiqen sepse askush nga ne në Europë, “kurrë nuk do i pranjojmë këto lloj zgjedhje, ti duhet t’i thuash popullit tënd, komunitetit serb që ata duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe ne do bëjmë punën tonë me Prishtinën”. 20 ditë më pas ata na thanë “tash ju duhet të bëni peticionin”, dhe e bëmë peticionin dhe grumbulluam [nënshkrimet], ata njerëz kanë mbledhur më shumë se 20 për qind, të votave dhe nënshkrimeve prej veriut të Kosovës, dhe as kjo nuk mjaftoi”- shtoi Vuçiq.

Vuçiq në fillim të seancës ka kritikuar delegacionin e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke thënë se ato nuk e kanë vendin aty.

Delegacioni i Kosovës, përveç presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përbëhet nga të mbijetuarat e luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Goodman, Elhame Muqolli, Fahrije Hoti dhe Shyhrete Tahiri Sulimani.

Vuçiqit i pengon prezenca e të mbijetuarave të luftës në KS të OKB-së, Osmani i kundërpërgjigjet