Vajtuese në Qendrën Përkujtimore në Potocari pranë Srebrenicës të mërkurën. Foto: Balkan Insight/EPA/JASMIN BRUTUS

Viktimat e Srebrenicës varrosen në përkujtimoren e përvitshme të gjenocidit

Më shumë se 30,000 boshnjakë u mblodhën në Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë për të përkujtuar 23-vjetorin e gjenocidit dhe për të bërë nderimet e tyre ndërsa varroseshin edhe 35 viktima të tjera.

Turma vajtuesish u mblodhën të mërkurën në Qendrën Përkujtimore në Potocari pranë Srebrenicës për varrimin e 35 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës të cilët do të varrosen në një ceremoni për të përkujtuar 23 vjetorin e masakrave.

Sipas raporteve të policisë, 177 autobusë dhe më shumë se 2,000 automjete mbërritën në Srebrenicë të mërkurën në mëngjes, duke sjellë njerëzit në përkujtimore.

Ndër viktimat që do të varrosen ishte një grua shtatzënë e cila u vra në masakrat, Remzija Dudiç, së bashku me burrin e saj Nijazija. Eshtrat e tyre u gjetën në një varr masiv në zonën e Vlasenicës në vitin 2016.

Dy adoleshentë që ishin 16 dhe 17 vjeç në kohën e vdekjes së tyre u varrosën gjithashtu në Qendrën Përkujtimore.

Një nga nënat e viktimave, Hajra Aliç, tha se ajo do të varrosë vetëm një kockë të djalit të saj Muhamedit – e vetmja gjë që është gjetur deri më tani nga eshtrat e adoleshentit.

“Varri dhe koka e varrit të tij duhet të shënohen, që të paktën ta di se ku është ajo eshtër,” tha Aliç.

Nemrin Alivukoviç nga komuna e Srebrenicës, një nga organizatorët e përkujtimores, tha se disa nga autorët e masakrave nuk janë nxjerrë ende para drejtësisë.

“Ne kemi 23 vjet që themi se nuk do të reshtim së kërkuari eshtrat e atyre që u vranë dhe nuk do të reshtim që kërkuari që përgjegjësit të gjykohen,” tha Alivukoviç.

Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të vendit, bëri thirre që kushdo që ka informacione për vendndodhjet e varreve të viktimave të Srebrenicës që rezultojnë ende të zhdukur të flasë.

“Hiqeni barrën tuaj dhe barrën tonë dhe bëni para. Na tregoni ku të gjejmë eshtrat mortore,” tha Izetbegoviç.

Ndër ata që morën pjesë në përkujtimoren e së mërkurës ishin pjesëmarrës në Marshimin e përvitshëm të Paqes nga Nezuku pranë Tuzlës në Srebrenicë, i cili ndjek rrugën e përdorur nga burrat dhe djemtë e Srebrenicës që largoheshin nga enklava në korrik 1995 pasi forcat serbe të Bosnjës erdhën në qytet.

Ndër pjesëmarrësit e Marshimin e Paqes të këtij viti viti ishte ambasadorja e SHBA-së në Sarajevë, Maureen Cormack.

Politikanë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe rajoni i ish-Jugosllavisë, si edhe zyrtarë të komunitetit ndërkombëtar, morën pjesë në përkujtimore.

Theodor Meron, kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë, tha se është e rëndësishme të ruhet kujtimi i viktimave të Srebrenicës.

“Ne të gjithë jemi ruajtës të një flake jete tepër të brishtë. Përgjegjës sot dhe për të gjitha ditët që do të vijnë, për t’u siguruar që kujtimet e etërve dhe vëllezërve, burrave dhe bijve, dhe të gjitha viktimave të tjera të këtyre ngjarjeve të tmerrshme vazhdojnë të jetojnë, që mësimet e Srebrenicës të mos harrohen kurrë dhe që secili prej nesh të bëjë pjesën e tij për të shpërndarë dritën e së vërtetës dhe për të larguar errësirën e indiferencës dhe mohimit,” tha Meron në një deklaratë.

Të martën në mbrëmje grupi i aktivisteve të paqes në Serbi “Gratë me të zeza” organizoi një përkujtimore të titulluar “Srebrenica 8,372” në sheshin “Republika” të Beogradit për të shënuar përvjetorin.

Aktivistet e Gratë me të Zeza mbajtën një çarçaf të madh të zi dhe lexuan emrat e viktimave, më pas shfaqën postera me fjalët “Srebrenica”, “Përgjegjësi” dhe “Solidaritet”.

Stasa Zajoviç, kryetarja e Gratë me të Zeza, shpjegoi se gjykatat serbe nuk i njohin masakrat e korrikut 1995 si gjenocid dhe se si shteti ashtu edhe shoqëria serbe ende mohojnë që u krye gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

“Është e nevojshme të respektojnë faktet e përcaktuara nga gjykatat ndërkombëtare, për të pranuar dinjitetin dhe vuajtjen e viktimave dhe t’i caktojnë organizatave të shoqërisë civile një vend të përhershëm në Serbi për ndërtimin e një monumenti në nder të viktimave të Srebrenicës,” tha Zajoviç.

Deri më tani, një total prej 6.575 viktimash të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore në Potocari.

Sipas vendimeve të dhëna nga Gjykata e Hagës dhe gjykata shtetërore boshnjake, më shumë se 7,000 burra dhe djem u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995.

Një fëmijë dhe një grua në të nëntëdhjetat janë viktima më e re dhe më e vjetër e Srebrenicës që janë varrosur deri më tani.

Vrasjet masive u pasuan nga një operacion i forcave serbe të Bosnjës që synonte fshehjen e krimeve në varre masive sekondare dhe terciare.

Gjykata e Hagës dhe ato vendase kanë dënuar 45 persona me 699 vjet burg – plus tre dënime me burgim të përjetshëm – për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera kundër boshnjakëve nga Srebrenica në korrik të vitit 1995.

Disa raste janë ende në proces, si edhe çështje të tjera që nuk po gjykohen.

Të paktën nëntë serbë të dyshuar për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë janë larguar nga Bosnja për t’u strehuar në Serbi, ku ata mbeten të lirë pavarësisht nga përfshirja e dyshuar në masakrat.