Ilustrim - Ushtria- FSK

Video:Kjo është gadishmëria e 900 ushtarëve të FSK-së

Në zonën e operacionit për të realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” ka zbarkuar një forcë në detyrë me mbi 900 pjesëtarë, duke përfshirë edhe efektivë ushtarakë nga 7 shtete partnere, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Procesi i planifikimit dhe ekzekutimit është bërë në bazë të direktivës së NATO-s për ushtrime dhe trajnime kolektive që ka përmbajtur katër etapa dhe disa faza.

Etapa e parë ka përmbajtur zhvillimin e konceptit dhe specifikimin e ushtrimit ku fillimisht është mbajtur konferenca specifikuese e ushtrimit nga ku kanë dalë specifikacioni i ushtrimit. Etapa e dytë ka përmbajtur planifikimin dhe zhvillimin e produkteve të cilat janë realizuar nga grupet punuese dhe me pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve.

Etapa e tretë është ajo e zhvillimit të ushtrimit, në kuadër të së cilës do të realizohet edhe ushtrimi fushor “Shqiponja 6”.

“Ajo është e përbërë nga shumë faza dhe aktivitete, këto faza dhe aktivitete përfshijnë, trajnimet e brendshme, duke përfshirë ato individuale dhe kolektive, seminaret akademike, trajnimet e liderëve kyç, trajnimi i shtabeve, pritja e partnerëve, integrimi i partnerëve, aktivizimi i forcës, procesi i vendimmarrjes ushtarake, zbarkimi, zhvillimi i operacioneve dhe vlerësimi”, ka thënë gjenerali Naim Haziri.

Etapa e katër përfshinë analizën dhe raportimin e cila do të vazhdojë pas zhvillimit të ushtrimit.

Gjenerali Naim Haziri, si mbështetje për planifikimin e ushtrimit fushor ka pasur ekipin planifikues të përbërë prej 30 personave duke përfshirë institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtar.

Drejtoria e ushtrimeve ka përdorur si referencë konceptin i ushtrimit, të miratuar nga komandanti i FSK-së, Rrahman Ramaj.

“Ky koncept na ka udhëzuar që të planifikojmë  një ushtrim fushor ndërkombëtar ku FSK do të testojë kapacitetet kyçe por edhe do të trajnojë personelin, njësitë, shtabet dhe liderët kyç, në një ambient shumëkombësh dhe në të njëjtën kohë të akomodojmë nevojat trajnuese të partnerëve tanë”, ka theksuar Haziri.

Që nga muaji shkurt i vitit 2017, pas tetë takimeve ndërkombëtare me shtetet aleate dhe me komandat e tyre ushtarake, Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për të zhvilluar ushtrimin fushor të quajtur “Shqiponja 6”.

Ky ushtrim është vazhdimësi e operacioneve të viteve të kaluara dhe ka për qëllim adresimin dhe avancimin e mëtejmë të nevojave teknike dhe taktike të FSK-së të cilat janë identifikuar më herët.

I tërë procesi është kryer në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s. Pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë të KFOR-it.