Gjyqtari i Speciales dhe EULEX darkon me avokatin e Sami Lushtakut


Gjyqtari i EULEX-it që dikur gjykoi disa prej rasteve më të mëdha në Kosovë, Vladimir Mikula, është fotografuar në mbrëmjen e sotme në një ambient darke me avokatin e Sami Lushtakut, Arianit Koci. Ata janë parë tek darkojnë në restorantin “Menza e Ramiz Sadikut” ndërsa në shoqëri të tyre është edhe Aurita Agushi bashkëshortja e Blerim Shalës

Mikula, që dikur gjykoi edhe rastin e njohur si “Siguria”, ku i akuzuar është edhe Sami Lushtaku, ishte njëri prej emrave të gjyqtarëve të EULEX-it që u gjendën në  regjistrin e gjyqtarëve të  Speciales, përderisa Lushtaku në janar të këtij viti u raportua se u ftua në intervistë në Hagë.

KALLXO.com ka siguruar një fotografi ku Mikula shihet teksa është në një fotografi ku përballë Mikulës ulur është avokati Koci.

 

Mikula së fundmi është parë edhe në disa gjykata të Kosovës në kuadër të monitorimit të EULEX-it  teksa ka marrë pjesë në gjykimin  në lidhje me fryerjen e listave të veteranëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Mikula, ndër të tjera gjatë kohës sa ishte në Kosovë, një kohë ishte pjesë edhe e gjykimit të Naser Kelmendit,  rastit të njohur si Gracanica dhe disa gjykimeve tjera të njohura.