Vladimir Mikula, gjyqtar i Gjykatës Speciale. Foto: Kallxo.com

Gjykatësi i Gjykatës Speciale i pranishëm në gjykimin e veteranëve

Përpos interesimit të madh të mediave dhe publikut për të përcjellë më afër proces gjyqësor të njohur si “Veteranët e rrejshëm”, kureshtar si duket është bërë edhe Gjyqtari i Gjykatës Speciale, Vladimir Mikula.

Në ditën e caktuar për mbajtje të shqyrtimit fillestar lidhur me këtë rast, në sallë të Gjykatës u pa edhe gjykatësi i Gjykatës Speciale, Vladimir Mikula.

Gjykatësi Mikula si duket kishte ardhur që personalisht ta përcillte këtë seancë gjyqësore për t’u bindur nëse çdo gjë po shkonte në rregull.

Ai qëndroi i ulur në sallë të Gjykatës dhe e përcolli seancën gjyqësore e cila u shty për një datë tjetër pasi që në sallë të Gjykatës nuk u paraqiten dy nga të akuzuarit.

Të pranishëm në sallë të Gjykatës nuk u panë te akuzuarit Smajl Elezaj, Rrustem Berisha dhe Faik Fazliu.

Për të akuzuarin Rrustem Berisha, avokati i tij Agron Selimaj përmes një parashtese e kishte njoftuar Gjykatën se nuk do të mund të paraqitet në seancë për shkak të “disa çështjeve urgjente”.

Vladimir Mikula, gjyqtar i Gjykatës Speciale. Foto: Kallxo.com

Kurse për të akuzuarin tjetër Faik Fazliu u tha se gjendet në një trajtim shëndetësor në Shqipëri.

Ndërkohë, Smajl Elezaj pas disa minutave erdhi në seancë, por pa praninë e dy të akuzuarve tjerë gjykatësja Nushe Kukaj Mekaj tha se nuk ekzistojnë kushte për mbajtjen e seancës.

Ajo çfarë vlen të theksohet është edhe interesimi i madh i Prokurorisë për ta përfaqësuar aktakuzën lidhur me këtë rast.

Për dallim nga herët e tjera kësaj radhe aktakuzën e Prokurorisë do ta përfaqësojnë dy prokurorë.

Në sallë të Gjykatës u paraqiten Prokuroret Valdet Gashi e Enver Krasniqi të cilët deklaruan se aktakuzën do ta përfaqësojnë të dy.

Pasi përfundimit të seancës gjyqësore, avokatet dhe disa prej të akuzuarve u prononcuan para kamerave.

Ish kryetari i Komunës së Lipjanit, i akuzuari Shukri Buja procesin gjyqësor e quajti “cirk e orkestrim me kor”, të cilit tha se i mungoi dirigjenti.

Sipas Bujës, Prokuroria është dashur ti akuzoj të gjithë anëtaret e komisionit, pasi që tha se ai është i vetmi nga eproret e zonave që është i përfshirë në aktakuzë.

https://kallxo.com/shtyhet-seanca-per-veteranet-e-rrejshem-ende-pa-filluar/

Buja tha se Prokuroria nuk është dashur të bëjë ndarje selektive dhe që sipas tij në këto rrethana nga aktakuza nuk është dashur të përjashtohen as Rrahman Rama, Sami Lushtaku e Hashim Thaçi.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci tha se aktakuza përbëhet nga të meta të mëdha duke shtuar se ka hapësire shumë të madhe për kundërshtim të pretendimeve të Prokurorisë.

Para kamerave u prononcua edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati i cili tha se në mesin e  të akuzuarve është dashur të jenë edhe lider të partive politike, kjo pasi që sipas Gucatit faji është edhe i tyre.

Kurse i akuzuari Xhavit Jashari u deklarua se është tërësisht i pafajshëm pasi që sipas tij ai asnjëherë nuk ka qenë pjesë e komisionit vendimmarrës.

Seanca e radhës është shtyrë për datën 14 mars.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent.

Aktakuza ishte kthyer mbrapa me 9 tetor 2018, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e aktakuzës, duke i lënë kështu 30 ditë kohë në dispozicion për plotësuar dhe ndryshuar.