Video: Çka thotë eksperti i Kodit Civil për pronat e përbashkëta?

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan hulumtimet e BIRN-it për regjistrimin e pronave të përbashkëta në  emër të dy bashkëshortëve i cili përfshiu zyrtarë shtetërorë e lokalë.

Eksperti i Kodit Civil, Haxhi Gashi tha se draftkodi civil garanton barazinë e bashkëshortëve në pronësi të përbashkët.

“Po për shkak se vet ligji e garanton një gjë të tilla, ligji i familjes dhe ligji i trashëgimisë, tani edhe vetë draftkodi civil garanton barabarësinë e bashkëshortëve në pronësinë e përbashkët e cila krijohet gjatë martesës dhe gjatë ekzistimit të saj. Fakti për regjistrimin në emër të të dyve është për të garantuar të drejtën dhe e dyta në rast të divorcit do të jetë shumë më e lehtë për gjykatën për të pjestuar këtë pronë të përbashkët që ajo të mos mbetet dilemë se kush është pronar i kësaj prone për shkak se pastaj duhet ta argumentosh me martesë i ka disa vështërsi procedurale të cilat edhe për gjykatën por edhe për bashëkshortët paraqesin probleme, në këtë mënyrë i zgjidh paraprakisht cështjet në lidhje me titullin juridik respektivisht kush është pronar i kësaj prone”, tha ai.

Ai tregoi edhe për ndryshimet në Kuvendin e Kosovës.

“Në fakt janë bërë disa ndryshime në Kuvendin e Kosovës, por edhe tani draftkodi civil i përfshinë këto ndryshime të cilat e para sqarojnë qartazi cila është pronësi e përbashkët e bashkëshortëve, tregojnë gjatë procedurave trashëgimore, noterët dhe gjyqtarët duhet t’i informojnë bashkëshortët se cilat janë të drejtat e tyre dhe eventualisht nëse heqin dorë nga trashëgimia cilat janë pasojat, tani kjo është reflektuar edhe në draftkodin civil, pra ta bënë të ditur për secilin se heqja dorë nga trashëgimi është një akt i pakthyeshëm dhe për këtë mbetesh pa pronë. Kjo mund të ndryshohet nëse ka pasur ndikim , dhunë ose mashtrim, prandaj me këto ndryshime është forcuar e drejta e bashkëshortëve në trashëgimi”, tha tutje ai.

Eksperti Gashi tregon edhe përparësitë e gruas në bazë të Kodit Civil.

“Kodi Civil e përmirëson  mjaftë shumë aspektin e realizimit praktik të së drejtës së trashëgimisë  për shkak se edhe më herët ka ekzistuar barazia formale juridike  por ajo që është bërë përpjekje është bërë që ajo të realizohet edhe në praktikë pra duke siguruar procedua transparente, informim për të gjitha palët për të drejtat e tyre dhe poashtu ka disa ndryshime të cilat janë në çështje pronësore që prona e përbashkët e familjarëve që jetojnë në Kosovë të regjistrohet me një akt noterial paraprakisht dhe të dihen pjesët e secilit”, tha Gashi.

Drejtësia në Kosovë në shumë emisione dhe hulumtime ka dëshmuar se gratë kanë ende probleme që të jenë bashkëpronare në prona.

Pronë e përbashkët e bashkëshortëve – nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.