Foto: Loreta Cuka, BIRN

Kosovë: 50% e pronës është e regjistruar në emër të të vdekurve

Pesë njerëz janë vrarë vetëm në muajin shtator për shkak të konflikteve për prona. Të dhënat tregojnë se tetë vite një gruaje i duhen për të arritur të ndajë pasurinë në procedura kontestimore ndërsa vetëm 16% e pronave në mbarë vendin kanë pronarë gratë. Ndërsa 50% e regjistrave kadastralë janë të regjistruar në emër të personave të vdekur.

Diskutimi për temën e cila ka shkaktuar vrasje dhe probleme të mëdha në shoqërinë tonë nuk është duke u mbajtur as në prag të këtyre zgjedhjeve.

Të drejtat pronësore vazhdojnë të injorohen nga partitë të cilat synojnë kuvendin ndërsa propozimet për zgjidhje të qindra problemeve të pronave të cilat vazhdojnë të presin zgjidhje ligjore e operacionale.

Në debatet për politikën në katër vitet e ardhshme nuk është përmendur asnjëherë nevoja për reformën në legjislacionin civil përfshirë mungesa të mëdha të ideve se cilat duhet të jenë zgjidhjet për problemet në kodin civil.

Faktet tregojnë se Kosova ka një krizë të madhe në sigurimin e regjistrave të pronave. Strategjia kombëtare për pronat tregon se 50% e regjistrave kadastralë janë në emër të personave të vdekur ndërsa 30% e njerëzve që aplikojnë për ta regjistruar shtëpinë e ndërtuar nuk mund ta bëjnë këtë pasi toka dhe pasuria është e regjistruar në emër të personave të vdekur dhe trashëgimia duhet përfunduar paraprakisht.

Sfidat rriten kur vendi ka mungesa të mëdha në legjislacion. Mbi 22 mijë hektarë të tokës shoqërore janë shitur në procesin e shitjes nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit. Ligjërisht pronat janë dhënë me qera për 99 vite ndërsa legjislacioni nuk ka të dhëna se çka do ndodhë pas këtij procesi përfshirë objektet e ndërtuara mbi toka që realisht janë mbi prona me qera.

Legjislacioni ka probleme dhe me qasjen në regjistrat kadastralë të cilët nuk janë publik dhe në ta kanë qasje vetëm personat në emër të të cilëve është prona.

Të dhëna të tjera tregojnë se (53%) e gjithë sipërfaqes tokësore të Kosovës klasifikohet si tokë bujqësore por për të cilën ende nuk paguhet tatim.

Të dhënat poashtu tregojnë se 29 mijë prona private vazhdojnë të jenë të uzurpuara dhe pronarët nuk kanë qasje në to.

Barazia e grave në pronë

Vetëm 16 % e grave kanë pronë ndërsa hulumtimet e BIRN tregojnë se vetëm një përqindje e vogël e politikanëve diku tek 10% kanë përmbushur zotimet se do i regjistrojnë pronat në emër të grave.

Komunat e vendit poashtu në asnjë rast nuk kanë arritur të zbatojnë parime të barazisë në ofrimin e pushtetit për gratë.

Në demokracinë partiake asnjë grua nuk është kryetare partie ndërsa partitë nuk kanë përfaqësim 50 me 50 në listat zgjedhore dhe në kryesitë vendimmarrëse të partive.

60% e të punësuarve në administratën shtetërore janë burra ndërsa vetëm 40% gra.

Legjislacioni civil i cili pritej të garantoj procedura më të shpejta për realizimin e të drejtave të grave në pronë nuk solli ato që u diskutuan e u trajtuan.

Këtë më së miri e pasqyrojnë rastet e Shyhrete e Shukrije Berishës.

Shyhrete Berisha dhe Shukrije Berisha janë dy raste të grave ku procedura gjyqësore për të drejtën e shfrytëzimit të shtëpisë ku jetuan me bashkëshortët e tyre u ka zgjatur mbi një dekadë.

Shyhretja dhe Shukrija përpos përballjes me dhimbjen për humbjen e bashkëshorteve ju desh të përballeshin edhe me betejat e gjata ligjore për të trashëguar të drejtën e tyre në pronë.

Ndonëse ligjvënësit e kanë pasur të njohur këtë fakt, prapë se prapë edhe me plotësim ndryshimin e ligjeve të reja nuk e kanë eliminuar këtë problem, duke lënë kështu përsëri mundësi për keqinterpretime

Një çështje e tillë mund të konsiderohet shumë problematike duke pasur parasysh problemet e mëdha pronësore me të cilat përballën pothuajse çdo ditë qytetarët e Kosovës pasi që një numër i madh i madh prej tyre rezulton se pronat ende i kanë të regjistruara në emër të gjyshërve apo edhe katragjyshërve të tyre.

Një pjesë tjetër e ligjit që mbeti pa ndryshuar është edhe neni 114 i Ligjit për Trashëgiminë i cili përmend shkaqet kur një trashëgimtar mund të përjashtohet nga trashëgimia.

“Trashëgimlënësi në testamentin e tij mund të përjashtojë nga trashëgimi trashëgimtarin që ka të drejtë për pjesën e domosdoshme:

  1. a) Në qoftë se ai me shkeljen e ndonjë detyrimi ligjor ose moral ka bërë cenim të rëndë ndaj trashëgimlënësit;
  2. b) Në qoftë se ka bërë me dashje ndonjë vepër të rëndë penale ndaj trashëgimlënësit, bashkëshortit, fëmijës ose prindit të tij;
  3. c) Në qoftë se është plangprishës, nuk do të punojë ose është dhënë pas jetës së pandershme”, thuhet në nenin 114 të Ligjit bazik për Trashëgiminë.

Nëse e shikojmë me kujdes këtë nen, mund të konstatojmë se pika “c” e këtij neni shumë lehtë mund të keqinterpretohet me qëllim që ndonjëri nga trashëgimtarët të përjashtohet nga trashëgimia me arsyetimin se është “plëngprishës” apo “i dhënë pas jetës së pandershme”, gjë e cila konsiderojmë se është vështirë të vlerësohet e aq më tepër të konsiderohet si arsye për përjashtimin e dikujt nga trashëgimia.

Ndonëse ndryshime janë bërë, konsiderohet se ende nuk është bërë vetëdijesim i mjaftueshëm i grave për të drejtat e tyre në pronë.

Kjo është arsyeja pse BIRN në vazhdimësi ka bërë përpjekje për inicimin e fushatave vetëdijesuese si për zyrtarë publikë ashtu edhe për opinionin e gjerë me qëllim të vetëdijesimit lidhur me rëndësinë e regjistrimit të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Pjesë tjetër shumë e rëndësishme e angazhimit të BIRN është edhe publikimi i hulumtimeve në  lidhje me përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje, duke filluar nga niveli lokal dhe përfaqësimi në drejtoritë komunale e deri te niveli qendror.

E pas shumë e shumë vitesh që nga shtet ndërtimi tashmë Kosova është shumë afër që të ketë Kodin e parë Civil.

Ky kod është në fazën finale dhe shumë shpejt pas krijimit të qeverisë së re pritet të dërgohet për procedim në Kuvendin e Kosovës.

Kodi Civil është paraparë që të përbëhet nga pesë libra, pjesa civile, e drejta sendore, marrëdhëniet e detyrimeve, familja dhe trashëgimia.

Me anë të këtyre pesë librave që e përbëjnë Kodin Civil pritet që rregullon marrëdhëniet shoqërore në fushën civile në Kosovë.

Një risi të cilën pritet ta sjellë Kodi Civil e që nuk ka qenë e paraparë më herët është mundësia që çiftet para martesës të vendosin se si do të qeverisin me pasurinë e tyre.

Çifteve të reja të cilët po planifikojnë që ta kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë, do t’u krijohet mundësia që paraprakisht para se të hynë në martesë, të mund të mund të lidhin një kontratë paramartesore me anë të së cilës do të mund të vendosin për disa kushte paramartesore në atë se çka do të mbetet si pasuri i e tyre e veçantë e çka si pasuri e përbashkët.

Kjo do të jetë e mundur me hyrjen në fuqi të Kodit Civil të Kosovës.

Bashkëshortët martesorë gjatë jetës së tyre të përbashkët mund të kenë pasuri të veçantë (individuale), të fituar para lidhjes së martesës, dhe pasurinë e përbashkët që krijohet me punën e tyre të përbashkët gjatë jetës bashkëshortore.

Pasuria e veçantë (individuale) e bashkëshortëve, përveç asaj që ka qenë e fituar para lidhjes së martesës mund të krijohet edhe gjatë kohëzgjatjes së martesës, me trashëgim, dhurim apo formë tjetër të përcaktuar me ligj.

Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve martesorë është pasuria e fituar me punën e tyre të përbashkët ose të ndarë, gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë nëse me kontratë paramartesore bashkëshortët martesorë nuk kanë përcaktuar regjimin pasuror të pasurisë së fituar gjatë martesës.

Problemi vazhdon të qëndroj në atë se kodi shumë i rëndësishëm nuk po diskutohet në publik.