Respektimi i barazisë nga profesorët e së drejtës

Nga 39 profesorë, asistentë profesorë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës të kontaktuar nga KALLXO.com, vetëm 5 prej tyre kanë deklaruar që posedojnë ndonjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Ndërsa nga 17 përgjigjet e pranuara nga këta profesorë, asnjë grua profesoreshë në Fakultetin Juridik nuk ka deklaruar që posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin, madje nga përgjigjet e pranuara ato kanë deklaruar që nuk posedojnë asnjë pronë të regjistruar në emër të tyre.

Në bashkëbisedim me profesorët e Fakultetit Juridik të njëjtit kanë deklaruar që ndonëse e kanë parasysh rëndësinë e regjistrimin të pronës në emër të dy bashkëshortëve sipas tyre arsyeja se pse deri më tani nuk e kanë kryer këtë veprim është për shkak të rrethanave të krijuara.

Disa prej tyre kanë deklaruar që pas jetës bashkëshortore nuk kanë krijuar ndonjë pasuri të paluajtshme, disa kanë deklaruar se nuk posedojnë ndonjë pronë të regjistruar as në emër të tyre pasi që pasuria është e trashëguar nga prindërit, e disa të tjerë kanë deklaruar që ende nuk i kanë përfunduar procedurat e regjistrimit të pronës, e në momentin që do t’i përfundojnë këto procedura, ata na kanë premtuar që pronën do ta regjistrojnë në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre.

 

BIRN ka kërkuar të dhëna lidhur me regjistrimin e pronave edhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Nga të dhënat e pranuara nga Agjenica Kadastrale e Kosovës pasqyrohet se gjatë vitit 2019 në Kosovë, 20 mijë e 947 prona janë regjistruar në emër të grave, kurse aktualisht në vendin tonë 358 mijë e 907 prona në total janë të regjistruara në emër të grave apo 15,2% e totalit të pronave të regjistruara.

Nëse e bëjmë krahasimin me pronat e regjistruara në emër të grave përgjatë vitit 2017, i bije që në vitin 2019 kemi pasur rritje për 4 mijë e 225 prona më tepër, të regjistruara në emër të grave gjatë vitit të kaluar.

 

 

 

Ndërsa nëse e shohim totalin e pronave të regjistruara deri në fund të vitit 2019, rezulton se aktualisht në mbarë vendin janë të regjistruara 2 milion e 355 mijë e 164 prona, nga të cilat 1 milion e 751 mijë e 949 prona janë të regjistruara në emër të burrave, 244 mijë e 308 në emër të subjekteve juridike ndërsa vetëm 358 mijë e 907 prona janë të regjistruara në emër të grave.

 

Kurse nga të dhënat lidhur me regjistrimin e pronave në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve kemi kuptuar se deri më tani në vendin tonë në total vetëm 5 mijë e 392 prona janë të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve. Nga kjo shifër, në vitin 2019, në emër të dy bashkëshortëve u regjistruan 2 mijë e 110 prona.

 

Aktualisht nga të dhënat të cilat i posedon BIRN nga hulumtimet e kryera që nga viti 2018, rezulton se vetëm 35 nga  1,304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit kanë qenë të gjithë zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Nga të dhënat e fundit të siguruara nga hulumtimi i KALLXO.com rezulton se nga 15 ministrat e qeverisë së re, vetëm katër prej tyre posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara në emër të përbashkët me bashkëshortet/ët e tyre.

Nga hulumtimi tjetër ka rezultuar se nga 362 gjykatës të gjykatave të vendit, vetëm 5 prej tyre të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Hulumtimi i BIRN-it ka pasqyruar në opinion se përveç gjykatësve prej të cilëve një numër jashtëzakonisht i vogël kanë deklaruar se posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte, asnjë kryetar (burrë) i gjykatave të vendit nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

E nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga ata të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona, kemi kuptuar se vetëm 13 deputetë posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte.

BIRN-i i ka kontaktuar edhe drejtorët e rajoneve policore nga të cilët vetëm një drejtor ka deklaruar se posedon pronë të regjistruar bashkërisht me bashkëshorte.

Sa i përket hulumtimit për kryetarët e komunave, në kohën kur janë kontaktuar, vetëm 4 prej tyre kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me gratë e tyre.

Me qëllim të vetëdijësimit lidhur me rëndësinë e regjistrimit të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, BIRN në vazhdimësi ka bërë përpjekje për inicimin e fushatave vetëdijësuese si për zyrtarë publikë ashtu edhe për opinionin e gjerë.

Me anë të publikimit të artikujve si dhe në kuadër të paraqitjes së disa rasteve në emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, u transmetuan shumë hulumtime e intervista me gra të cilat kërkuan të drejtat e tyre në pronë dhe në vazhdimësi u raportua për betejat e gjata ligjore me të cilat po ballafaqohen gratë me qëllim të njohjes së të drejtave të tyre në pronë si dhe njohjes së kontributit të tyre në krijimin e pasurisë së përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Së fundmi Qeveria në ikje në një nga mbledhjet e saj të fundit ka njoftuar se e ka aprovuar propozimin për miratimin e Udhëzimit Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ të vitit 2016 për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, duke e zgjatur periudhën kohore të zbatimit të këtij udhëzimi edhe për pesë vite.

Që nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar këtë udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve. Duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin e çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi, vit pas viti Qeveria e ka ndryshuar këtë udhëzim për të zgjatur periudhën e zbatimit pasi që është konsideruar se ka pasur ndikim pozitiv sa i përket rritjes së numrit të pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshorteve.

Ky udhëzim administrativ u mundëson bashkëshortëve që në rast se e regjistrojnë pronën në emër të përbashkët, të njëjtit lirohen nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirohen nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirohen nga tarifa për shpenzimet e noterit.