Objekti i Fakultetit Juridik | Foto: Facebook

Fakulteti Juridik s’pajtohet me konkursin e UP-së për staf akademik

Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi së bashku me disa anëtarë të Këshillit të këtij fakulteti, nuk janë pajtuar me konkursin e shpallur nga Universiteti i Prishtinës më  22 tetori për angazhimin e stafit akademik.

KALLXO.com ka siguruar ankesën e disa anëtarëve të Këshillit të Fakultetit që kanë kërkuar të anulohet, plotësohet apo ndryshohet konkursi.

Në këtë ankesë të dërguar më  15 tetor, anëtarët e Këshillit të Fakultetit Juridik kanë thënë se nuk është shpallur konkurs për të gjitha pozitat që janë miratuar nga ky Këshill dhe se rrezikojnë akreditimin nëse nuk bëhet një gjë e tillë.

“Siç jemi informuar, Senati i UP-së ka aprovuar shpalljen e konkursit për zgjedhje në pozitën e Prof, Ass, Dr) vetëm për një pjesë të stafit të rregullt akademik të Fakultetit Juridik. Vendimi në fjalë vendos për shpalljen e gjithsej pesë pozitave duke mos u bazuar në asnjë kriter objektiv”, është thënë në ankesë.

Sipas tyre, nuk janë marrë për bazë as kriteret e proklamuara nga Rektorati në mënyrë verbale dhe me shkrim që të drejtë për t’u përfshirë në konkurs do të kenë fillimisht ata që ju ka skaduar kontrata, personeli i cili ka fond të mjaftueshëm të orëve, në rastet që rrezikohet akreditimi.

Këshilli i Fakultetit Juridik ka thënë se pozitat e shpallura në konkursin e 22 tetorit për këtë fakultet janë bërë pa asnjë kriter.

“Për pozitat të cilat është marrë vendim për të ju shpallur konkursi, nuk është marrë asnjë kriter bazë, pra: As kontrata e skaduar, as fondi i orëve (janë në disa pozita nga 3 profesorë në lëndët që keni marrë vendim për të shpallur konkurs) dhe nuk janë barët të parë të lëndës, e as nuk janë bartës të programeve të studimit për ri-akreditim”, thuhet në ankesën e tyre drejtuar rektorit, Marjan Dema.

Këshilli po ashtu ka thënë se kanë një numër të madh të profesorëve që pavarësisht se janë pensionuar japin mësim në Fakultetin Juridik.

“Gjithsej 10 profesorë janë pensionuar gjatë këtyre viteve, të cilët vazhdojnë të mbeten të angazhuar pikërisht për shkak të nevojës krahas numrit të studentëve. Andaj, plotësimi i konkursit me të gjitha pozitat e dhëna do t’i mundësonte Fakultetit Juridik që të kthej në normalitet situatën e mësimdhënies, me mësimdhënës të rregullt”, thuhet në ankesë.

Ata po ashtu kanë thënë së shpallja e të gjitha pozitave të propozuara nga ta është në linjë të plotë me kërkesën e Rektoratit për të eliminuar mbi-normat dhe për t’i hapur rrugë një sistemi të pagesës së barabartë në mes të stafit akademik.

“Me shkurtimin e numrit të stafit, ju po vazhdoni që t’i mbani në jetë mbi-normat dhe të rrisni pabarazinë në mes stafit akademik”, thuhet në ankesë.

Këshilli i Fakultetit Juridik ka theksuar se rrezikon seriozisht një numër programesh studimore nëse pozitat e tilla nuk shpallen sipas vendimit të Këshillit, duke shtuar se për fakultetin mbetet e domosdoshme që t’i mbulojë kërkesat e programeve dhe Fakultetit në tërësi.

Dy ditw pas vendimit pwr shpalljen e konkursit, më 16 tetor dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi i ka dërguar letër rektoratit ku ka thënë se gjatë mbledhjes së senatit me 14 tetor, ku rend dite ishte shqyrtimi i këtij konkursi, asnjë anëtar i senatit nuk e ka pasur materialin e shpërndarë të draft konkursit me pozitat të cilat janë miratuar.

“Gjatë mbledhjes së Senatit, në ekran është shfaqur vetëm titulli i Konkursit pa i lexuar pozitat për fakultet dhe si rezultat askush nga senatorët nuk e di se cilat pozita janë miratuar pas kufizimeve në pozita siç u paraqitën për votim nga Rektori”, thuhet në letrën e dekanit.

Tutje ai ka kërkuar që t’ia dërgojnë konkursin me pozita që e ka miratuar Senati, para se të publikohet pasi që sipas tij ka shumë paqartësi, keqinformim për pozitat që janë miratuar.

“Mbesim pas qëndrimit siç e kemi shprehur me shkresa të Këshillit të Fakultetit dhe në mbledhjen e Senatit, se për Fakultetin Juridik duhet të shpallen të gjitha pozitat e miratuara nga Këshilli dhe të ndalohet shpallja e konkursit me ndarje të pozitave pa kritere të vendimmarrjes dhe diskriminuese për një kategori të kolegëve, respektivisht stafit të Fakultetit Juridik”, thuhet në shkresën e dekanit, Haxhi Gashi.

 

 

Megjithatë, Universiteti i Prishtinës kishte shpallur konkursin më 22 tetor me afat aplikimi deri me 5 nëntor dhe këto janë pozitat që i ka shpallur:

 

Kurse, pozitat që ishin propozuar nga ana e Këshillit të Fakultetit Juridik janë këto:

Në lidhje me këtë çështje prorektori për kërkime në UP, Faton Berisha ka thënë se pozitat e reja te shpallura nga Senati i UP në këtë konkurs në UP përgjithësisht, pra edhe në Fakultetin Juridik në veçanti, janë përzgjedhur dhe shpërndarë nëpër njësitë akademike të UP ashtu që të plotësojnë më së miri nevojat e Universitetit për staf të ri akademik.

“Natyrisht, faktor përcaktues për numrin e përgjithshëm të pozitave të reja të shpallura në tërë UP-në ka qenë mjaftueshmëria buxhetore e UP”, ka shtuar ai për KALLXO.com.

Berisha ka treguar se edhe cilat kritere janë përdorur për angazhimin e stafit akademik në Fakultetin Juridik.

“Në rastin konkret, përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve vijuese sipas renditjes respektive: Të kenë përparësi shpalljeje pozitat e reja për profesorë asistentë, për të cilat ekziton potencialisht për të kandiduar staf akademik i brendshëm, aktualisht me thirrje të doktorëve të shkencës në pozitat e asistentëve mësimorë të rregullt, duke aprovuar për secilën njësi akademike një numër të arsyeshëm të pozitave të reja për këtë konkurs. Të kenë përparësi shpalljeje ato pozita, ku të paktën një lëndë e propozuar nuk ka asnjë bartës të zgjedhur me vendim të Senatit të UP-së; Të kenë përparësi shpalljeje pozitat me lëndë profesionale (të fushës së ngushtë) në njësitë përkatëse akademike”, ka treguar ai.

Sa i përket ankesës së bërë nga ana e Këshillit të Fakulteti, Berisha ka thënë se rektorati i UP i ka dërguar një letër të gjithë senatorëve të UP në të cilën i është përgjigjur detajisht ankesave në fjalë.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve të Këshillit të Fakultetit se mos shpallja e pozitave që ata kanë kërkuar mund të rrezikojë akreditimit, prorektori i UP-së ka thënë se shpallja e pozitive të reja të profesorëve asistentë aty ku ekziston staf i brendshëm me thirrje të doktorit të shkencës në pozita të asistentëve mësimorë është irrelevante për akreditimet e kurrikulave përkatëse.

“Sipas kritereve të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, bartës kurrikulash mund të jenë edhe asistentët mësimorë me thirrje të doktorit të shkencës”, ka shtuar ai për KALLXO.com

Me 14 tetor, Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e saj kishte marrë vendim që të shpallë konkursin për angazhimin e personelit të rregullt akademik, përfshirë zgjedhje, rizgjedhje dhe avancim të tyre.

Kjo pikë e rendit të ditës u votua me 19 vota pro 5 kundër dhe 5 abstenime, e cila nuk kaloi pa polemika mes senatorëve për numrin e angazhimit të stafit.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se konkursi për staf në këtë universitet është gjithmonë sfidues dhe se nuk ka buxhet që të angazhohen shumë staf i ri.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se konkursi për staf në këtë universitet është gjithmonë sfidues dhe se nuk ka buxhet që të angazhohen shumë staf i ri, kurse dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi kërkoi që të gjitha shkresat që i kanë bërë të aprovohen nga senati.
https://kallxo.com/lajm/senati-vendos-te-shpallet-konkursi-per-angazhim-te-stafit-akademik-ne-up/